LAJME

Isa Mustafa qorton popullin: E ndëshkuat LDK-në, pa asnjë skan dal e pa korr*upsion

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, e ka bërë një status në profilin e tij në Facebook dedikuar qytetarëve të Republikës.

Ai ka deklaruar se ende nuk e kupton arsyen e ndëshkimit me votë të partisë së tij, duke marrë parasysh qeverisjen e tij [Mustafa] dhe qeverisjen e z.Avdullah Hoti që nuk kishin asnjë skandal dhe ishin të orientuara kah zhvillimi ekonomik i vendit.

Po ashtu, Mustafa përmend edhe sanimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët shtetërorë, përfshirë ShBA-të.

“Unë do t’u kërkoja falje juve qytetarë dhe veprimtarëve të LDK-së, sikur LDK të penalizohej nga elektorati për qeverisje të korruptuar dhe të padijshme!” – shkruan z.Mustafa, përcjell Periskopi.

Mustafa thotë se nuk është penduar për asnjë prej veprimeve që ka bërë në krye të partisë së Ibrahim Rugovës, dhe se do t’i bënte sërish.

Ai shton se LDK-ja ka rënë viktimë e propagandës populiste dhe se i vjen keq që qytetarët e dënuan një parti që nuk ishte e skandaleve dhe e korrupsionit, por e vlerave dhe zhvillimit.

Statusi i plotë:

Të nderuar qytetarë

Më 15 shkurt të këtij viti e  njoftova Kryesinë e LDK-së se pas rezultateve zgjedhore të dt 14 shkurt do t’ia ofroj Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time si Kryetar i LDK-së.

Dorëheqjen si gjest moral, jo si akt i pendimit. Sepse po të kthehesha edhe njëherë mbrapa, njëjtë do ta drejtoja LDK-në. Me orientime zhvillimore, proevropiane, partneritet me SHBA-të, pa skandale dhe të pakorruptuar.

Unë do t’u kërkoja falje juve qytetarë dhe veprimtarëve të LDK-së, sikur LDK të penalizohej nga elektorati për qeverisje të korruptuar dhe të padijshme!

Në fakt LDK ka qeverisur pa asnjë skandal. Gjashtë vite kam drejtuar Prishtinën, si kryetar i saj. Më ka akuzuar Vetëvendosja me 72 dosje dhe nuk është vërtetuar se asnjëra prej tyre ka të bëjë me mua. Në ato vite Prishtina ka përjetuar kulmin e saj me shkolla të reja, infrastrukturë, sheshe e rrugë, gjelbërim, terrene sportive…. me fillimin e fabrikës së ujit dhe të ngrohjes së qytetit.

Kam qenë gati tre vjet Kryeministër i vendit dhe qeveria ime nuk ka pasur asnjë skandal dhe veprim korruptiv.  Kosova ka përjetuar rritjen ekonomike nga 2 sa e trashëguam në 4 për qind që e vazhdon edhe tani, është përkrahur sektori privat i bizneseve, është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, ajo e Stabilizim Asocimit, kishim plotësuar 93 kritere për liberalizim të vizave nga 95 sosh.

Qeveria Hoti, ka sanuar relacionet e prishura me SHBA-në nga Qeveria Kurti si dhe relacionet me BE, të shkatërruara nga qeveria Kurti dhe Haradinaj, ka nënshkruar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, ka menagjuar me sukses Pandeminë Covid-19 si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik.

Unë do të isha i lehtësuar po ta dija se pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në në këto zgjedhje.

E ndëshkuan, sepse nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta. Apo, pse???

Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot. Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK ka zgjedhur partneritetin me SHBA-të. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore.

LDK, qytetarëve ua ka dhënë besën se do të implementojë vlerat e saj fundamentale  në politikat qeverisëse, nuk ia ka dhënë besën se do të martohet politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje. Njerëzit që kanë kaluar në Vetëvendosje, nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ata i ofrojnë këtij vendi në aspektin ekonomik, zhvillimor, të partneritetit euroatlantik, por veç se ia kanë dhënë besën vetëvendosjes. Nuk kanë ofruar asgjë përpos njëzet fjalive me kritika. Sepse nuk dinë më shumë. Të tjerët që sot në studio televizive thonë se nuk është dëgjuar zëri i tyre, nuk e thonë të vërtetën, sepse nuk kanë pasur asnjë zë të artikuluar përveç pozicionimit abstenues e abstenimi është mungesë e qëndrimit, blerje kohe, në stilin ta shohim si del.

Nëse e keni përcjellur me kujdes debatin e fundit të “zotit Kryeministër” dhe të “znj Presidente”,  do të ishte mirë të ia sqaroni vetes të nderuar qytetarë dhe të nderuar ju votues të deridjeshëm të LDK-së se cilat ishin përgjigjet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Për zhvillimin ekonomik, për përmbylljen e dialogut, për relacionet me SHBA-të. Unë nuk vërejta asnjë përgjigje por vetëm ikje nga përgjigjet. Mungesë elementare të dijes për të qeverisur.

Për dallim prej disa bashkëpunëtorëve të mi, unë nuk e kam uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e saj. Jo se e urrej por se nuk ia dua vendit tim të sundohet nga asnjë parti politike; se nuk gjej arsye të uroj votuesit e deridjeshëm të LDK-së se kanë kaluar në Vetëvendosje, sepse LDK nuk heq dorë nga ata. Sepse LDK nuk dorëzohet. Do të kthehet edhe më e fortë.

Unë kam besim të plotë në njerëzit me të cilët kam punuar, në punën time të pastër që e kam bërë në LDK dhe në të gjitha detyrat tjera. Jam i bindur se dëmtimi i LDK-së me votat e fundit është krejtësisht i padrejtë dhe rezultat i propagandës populliste.

Të penalizohet një parti shtetformuese e padhunshme  dhe e pakorruptuar është sinjal i keq për të ardhmen e këtij vendi. IM

LEAVE A RESPONSE