Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa për asistenten e tij, Marigona Berisha, është vendosur masa e arrestit shtëpiak.
Të dy u arrestuan me urdhër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, më pas Këshilli Prokurorial i Kosovës suspendoi Lavdim Krasniqin me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente, si dhe asistentes së tij.
Krasniqi dyshohet për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, ndërsa, Berisha dyshohet për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.
Njoftimi i plotë nga Gjykata Themelore:
Prishtinë, 03 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka vepruar lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.K. për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprës penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të KPRK-së dhe të pandehurës M.B. për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale, nga neni 377 par 1 lidhur me par 1, nën par 2.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i shtetit në seancën dëgjimore është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit sa i përket të pandehurës M.B. duke propozuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndërsa sa i përket të akuzuarit L.K. ka mbetur pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.
Të pandehurit L.K., gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji pasi që ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2 pika 1.2.2, dhe 1.2.3 të KPP-së.
Të pandehurës M.B., gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji pasi që ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 183 par 1 pika 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.1, 1.2 pika 1.2.2, dhe 1.2.3 të KPPK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se këto masa të sigursë janë masa adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, sepse ekziston rreziku se po të gjenden në liri mund të ndikojnë në bashkëkryerësin A.K. si dhe në dëshmitarë, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, tregon rrezik se nëse të pandehurit gjendet në liri mund të përsërisin veprat penale apo të ngjashme.
Të pandehurit L.K. dhe M.B. dyshohen nga Prokuroria se në cilësinë e personave zyrtar kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.