Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku ka reaguar pas emërimit të Valdet Sadikut si i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në ShBA.
Çitaku ka shkruar se ka pasur kënaqësinë të punojë me të dhe mezi pret të shoh suksesin e tij në këtë detyrë.
“Për të gjithë shokët dhe kolegët në Uashington DC. Po ua prezantoj ambasadorin Valdet Sadiku që do të marrë detyrën në ambasadën e Kosovës në ShBA. Kam pasur kënaqësinë të punojë me Valdetin në kapacitete të ndryshme dhe në rendin e parë për dedikimin dhe profesionalizmin e tij. Mezi pres ta shoh suksesin e tij në këtë detyrë”, ka shkruar Çitaku.
Valdet Sadiku është caktuar të shërbejë si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington D.C.
“Duke marrë në konsideratë rrethanat diplomatike në të cilat ndodhet Kosova dhe rëndësinë që ka për ne SHBA dhe duke marrë parasysh se ambasadorja Vlora Çitaku ka përfunduar mandatin e saj në DC, Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi, ka marrë vendim të dërgojë ambasadorin Valdet Sadiku, në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë, i përkohshëm në Washington, për të mos e lënë vakant pozitën e ambasadorit në vendin më të rëndësishëm për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.