LAJME

Kandidati i VV-së për deputet konfirmon keqpërdorimet në numërimin e votave, kërkon rinumërim total

Çdo ditë dhe del dikush që kërkon rinumërim total.Ani pse u cilësuan si zgjedhje demokratike edhe kandidati i VV-së për deputet, Liri Loshi, që jeton në Kanada, e ka pranuar se gëzon prova që atij iu kanë keqpërdorur votat.

Por, në një postim në rrjetin social “Facebook” ka thënë se nuk ishte ankuar zyrtarisht në KQZ, pasi pak kohë pas zgjedhjeve iu deshë të udhëtonte përtej oqeanit.Më poshtë postimi i tij i plotë.Unë nuk jam ankuar zyrtarisht për këqpërdorim të votave, sepse sipas një plani paraprak, pas zgjedhjeve, pikërisht më 18 shkurt udhëtova për Kanada. Numri i votave që kam marrë arrin gjithsej 3504. Sa është real ky numër nuk di, nuk jam fare i sigurtë. Ajo që kam menduar atëherë, po edhe tash është se unë meqë nuk arrita numrin e nevojshëm të votave për t’u bërë deputet, duhej ta pranoja humbjen dhe ta vazhdoja jetën me normalitetin e saj. Kështu edhe jam duke vepruar, sadoqë COVID-19 ma prishi pak rendin.
Sidoqoftë, ka një mospërputhje që kam hetuar me votat e mia në Pejë, bie fjala, ku komisionorët numëruan 353 vota në emrin tim, ndërkohë që nga të dhënat e KQZ dolën të ishin vetëm 214 vota! Pra, në Pejë, sipas kësaj mospërputhje më munguan 139 vota. Mospërputhje të ngjashme mund të ketë pasur gjithandej Kosovës, por unë rastësisht këtë defekt e kam kapur në Pejë.
Tjetër, unë kam pritur që nga diaspora të kisha një numër të konsiderueshëm votash, por ndodhi që të regjistrohen vetëm 314 vota! Vetëm në Kanada, vetëm në SHBA, vetëm në Angli, apo vetëm në Suedi do të duhej të kisha mbi 300 vota. Tē mos flas për Zvicër dhe Gjermani, ku ka pasur potencial edhe më të madh për votat e mia. Pra, pritja ime ishte bukur reale, sepse unë prisja nja 2000 apo 3000 vota nga diaspora, meqë isha kandidat për deputet i diasporës nga partia më favorite në këto zgjedhje, siç ishte Lëvizja Vetëvendosje. Besoj se nëse shohim se cilit deputet iu shtuan disa mijëra vota nga diaspora nga këta që kishin numër të përafërt votash me mua, apo edhe më pak dhe që nuk ishin kandidatë nga diaspora, atëherë del sheshit se kah u zhdukën votat e mia, apo edhe të ndonjë kandidati tjetër.
Një rinumërim i votave të diasporës, por edhe i të gjitha votave tjera, do të mund ta ndërronte dukshëm renditjen e kandidatëve me vota, por mbase edhe do të mund të dokumentonte se dyshimi im dhe i atyre që mendojnë si unë, nuk është i bazuar në realitet.
Më heret kam pas shkruar se dikush më kishte ofruar 500 vota në këmbim të 500 eurove, gjë që e kam refuzuar, por që do ta bëj publike tani duke e sjellë një screenshot të asaj oferte në inbox. Nuk e di a ishte person i vërtetë, apo profil i rrejshëm. Kjo është çështje për organet kompetente.
Sidoqoftë, jam shumë mirënjohes dhe falënderues ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur me votën e tyre. Ndryshimi ka ndodhur dhe ai mund të vazjdojë edhe pa ne që nuk i kemi fituar votat e nevojshme. Por, ata që rastësisht kanë ndryshuar artificialisht vullnetin e votuesve, do ta pengojnë dhe do ta vonojnë ndryshimin. Unë mendoj se vetem një rinumërim i gjithmabrshëm i të gjitha votave, do të na jepte pasqyren e saktë të asaj çfarë ka ndodhur, në mënyrë që kush e ka vendin në burg, të mos futet gabimisht në parlament.

LEAVE A RESPONSE