Fondi Publik i Investimeve në Arabinë Saudite, tha të mërkurën se ka nënshkruar marrëveshje për hua me valuta të ndryshme me një grup prej 17 bankash. Sipas këtij fondi, huaja do t’i ofrojë vendit kapital shtesë që mund të futet në përdorim shpejt kur të jetë nevoja.
Ky fond, që është motor i planeve të princit Mohammed bin Salman për transformim ekonomik të Arabisë Saudite, menaxhon 400 miliardë dollarë.
Fondi është forcuar nga disa burime viteve të fundit, përfshirë një transferim prej 40 miliardë dollarëve nga rezerva e Bankës Qendrore vitin e kaluar, shkruan Reuters, sjell Express.
Burimet thanë se huaja e re do të përdoret për qëllime të përgjithshme të korporatave.
Fondi Publik i Investimeve filloi ta rriste borxhin ndaj bankave në vitin 2018 me një hua prej 11 miliardë dollarësh, pastaj në vitin 2019 me një hua tjetër prej 10 miliardë dollarësh, të cilën e ktheu vitin e kaluar.
Huaja e re prej 15 miliardë dollarësh është ofruar nga 17 banka na Azia, Lindja e Mesme, Evropa, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, bëhet e ditur në deklaratën e fondit.
Princi Mohammed, arkitekt i programit “Saudi Vision 2030”, me të cilin synohet shkëputja e varësisë së shtetit nga nafta, tha se fondi planifikon të investojë së paku nga 40 miliardë dollarë në ekonominë lokale për çdo vit deri më 2025.