LAJME

Zyrtare: Besian Mustafa shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Ministri i Bujqësisë në detyrë dhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Besian Mustafa ka bërë të ditur me anë të një shkrimi në Facebook se do të kandidiojë për kryetar të LDK’së me 14 mars.

Ai ka thënë se mënyra së si do të zgjidhet kryetari është vetëm me vota dhe pa matematika, transmeton Periskopi.

Shkrimi i tij i plotë:

Të gjithë kemi përgjegjësi për Kosovën dhe LDK-në. Do kandidoj për kryetar të LDK-së më 14 mars.

Kandidat vetëm dhe vetëm në kuti, pa matematika.

Këto 15 vjet, që kulmuan me debaklin e 14 shkurtit, LDK ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë e saj. Është koha t’ia kthejmë. Me rrënjët thellë në truallin e LDK-së dhe me fytyrën kah dielli i të ardhmes.

Siç është bërë tanimë zakon në partinë tonë edhe këtu pres të ndërtohen e thellohen konspiracione “ky është i atij grupit” ose “i atij klanit” ose “i atij filanit.” Unë jam Besiani. Biologjikisht jam i Xhemailit. Politikisht, i LDK-së. Ideologjikisht, i themeleve të 1989-ës. Këto ndarja e grupe, qofshin reale apo fiktive, s’na bëjnë nder e s’kanë vend në LDK.

LDK-ja ka nevojë për reformim, por jo për denigrim. Duke u shprehur mirënjohjet më të larta e më të thella për kontributin shumëvjeçar gjithsecilit vendimmarrës të deritanishëm të LDK-së, tani gjithsecili e ka të qartë që udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 viteve të ardhshme.

Tradita e këtyre 15 viteve të fundit e denigrimit të kolegëve dhe ish kolegëve të partisë, duhet dhe do të përfundojë. Por, natyrisht, vendimmarrja nga 15 marsi do të kalojë tek një ekip tërësisht i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Ky ekip do të diskutojë hapur, pa grupe e xhepa, secilën temë dhe do të nxjerrë vendimet më të mira për LDK-në dhe Kosovën, jo për individë e grupe.

Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm.

LDK-ja do të shkëlqejë përsëri!

Kolegëve kandidatë ju uroj sukses. Fituesi duhet dhe do ta ketë gjithsecilin anëtarë të LDK-së në shërbimin e tij për ta riforcuar partinë. Na priftë e mbara!

Zoti e bekoftë LDK-në!

Zoti e bekoftë Kosovën!

LEAVE A RESPONSE