Analisti Nexhmedin Spahiu, i pyetur nga gazetari nëse Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të reformojë partinë e tij, u shpreh se diçka e tillë nuk do të ndodhë, pasi Abdixhiu është i përzgjedhuri i Mustafës dhe vazhdimësi i këtij të fundit.
“Kryetari i ri nuk do të arrijë ta reformojë LDK-në pasi kryetari i ri i LDK-së është Mustafa me flokët kaçurrel, pra është vazhdimësi e tij. Mustafa ka arritur t’ua hedhë opinionit publik në Kosovë që të zgjedhë të përzgjedhurin e tij, duke krijuar perceptimin që do të arrijë ndryshime”, u shpreh Spahiu.
Sipas Spahiut, Isa Mustafa duhej të përjashtohej nga LDK-ja dhe jo të zgjidhej kryetar nderi, siç e zgjodhi Abdixhiu, pasi kjo zgjedhje e ka bërë Mustafën akoma më të fuqishëm se sa kur ishte vetë kryetar i partisë.
“Mustafa nuk duhet thjesht të hiqte dorë si kryetar por edhe të përjashtohej nga LDK-ja. Mirëpo kryetari i ri i LDK-së, zgjodhi si kryetar nderi Isa Mustafën dhe në këshillin e ri drejtues të partisë, hoqi kundërshtarët e Isa Mustafës. Tani Isa Mustafa është më i fuqishëm se sa kur ishte vetë kryetar i partisë.”
Spahiu theksoi se Isa Mustafa tashmë mund të drejtojë akuza kundrejt Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, për shkak të hakmarrjeve të vjetra.