Tashmë është koha kur edhe fillojnë përgatitjet për ushqimin dimëror dhe një tryezë gjatë stinës së dimrit nuk mund të imagjinohet dot pa ajvar. Ja edhe recetat se si duhet të përgatisim ajvarin.
- Ajvar me speca dhe patëllxhan
Përbërësit:
• 30 kg.speca të kuq të shëndoshë,
• 15 copë patëllxhanë,
• 1 kg. karota,
• 1 litër vaj,
• 2 tuba majdanoz,
• kripë,
• 2-3 lugë sheqer.
Përgatitja:
Specat lahen, pastrohen nga farat, piqen dhe qërohen. Karotat pastrohen, priten në rrathë dhe bluhen në makinë mishi.
Gjithashtu edhe patëllxhanët lahen, grimcohen dhe bluhen në makinë mishi.
Në tenxhere të përshtatshme hidhet 1 gotë vaj sa të nxehet.
Në të hidhen patëllxhanët dhe karotat. Vihen në zjarrë dhe duke i përzier ziejnë sa të avullohet lëngu.
Në ndërkohë bluhen specat dhe hidhen në masën e patëllxhanave. Zihen së bashku duke i përzier vazhdimisht, gjersa të avullohet lëngu dhe ajvari të trashet.
Hidhet pjesa tjetër e vajit, kriposet ajvari, i shtohet majdanozi i grirë hollë, 2-3 lugë sheqer dhe përzihet mirë.
Kavanozët e nxehtë mbushen me ajvar të nxehtë, e mbi hidhet vaj i nxehtë dhe mbyllet kavanozi me celofan të dyfishuar.
Kavanozët mbulohen me batanie dhe qëndrojnë 12 orë, pastaj vendosen në vend të ftohtë.
Në të njëjtën mënyrë përgatitet ajvari vetëm nga specat.
2. Ajvar shtëpie
Përbërësit:
– 30 kg spec i kuq lëvoretrashë
– 1,5 l vaj
– 200 g kripë
– 50 ml uthull
– Spec djegës sipas shijes
Përgatitja:
1. Piqni specat në pllakë të nxehtë dhe vendosni në tenxhere të mbuluar me leckë kuzhine që të ftohen pak. Qëroni specat, hiqjani kërcejtë dhe farat, dhe vendosni në thes plastike (që përdoret për patate) që të kullohen gjatë natës.
2. Të nesërmen bluajini në makinë për bluarje mishi apo në ndonjë aparat tjetër elektrik. Vëreni tenxheren në shporet që të nxehen shumë pak, qitni specat e bluar, shtoni vajin dhe kripen dhe përzieni. Fërgoni specat e bluar përafërsisht 2 deri në 2,5 orë, varësisht nga intensiteti i zjarrit dhe vazhdimisht përzini.
3. Nga fundi i fërgimit, kur hajvari të jetë pothuajse gati, shtoni uthullën dhe përzieni edhe afërsisht dhjetë minuta. Hajvari (‘Ajvari’) është i gatshëm kur e kaloni garuzhdën nëpër fundin e tenxheres dhe nuk lë gjurmë gjatë kalimit, sepse hajvari është bërë mjaftueshëm i dendur.
4. Lëreni hajvarin që pak të ftohet (rreth një ose dy orë) dhe qiteni në kavanoza të tharë dhe të pastër. Lërini kavanozat të qëndrojnë të pambyllur 5 – 6 orë, dhe pastaj mbyllni me kapakë apo me celofan.
5. Nëse preferoni hajvar djegës, që nga fillimi shtoni speca djegës. Nëse dëshironi sasi të përzier, ndajeni gjithë masën specave të bluar përgjysmë dhe shtoni spec djegës të bluar në njërën pjesë para se ta fërgoni. Specat djegës shtohen sipas shijes.
Ju bëftë mirë!