LAJME

Hoxhë Drilon Gashi i del në mbrotje komunitetit LGTB: Mos ju bëni zullum njerëzve

Ditën e djeshme temë diskutimi ishte ligji që lejon martesat e gjinisë së njejtë.
Një lidhje me këtë ka reaguar edhe hoxhë Drilon Gashi, ku ka kërkuar që mos tu bëhet zullum komunitetit LGBT, shkruan Albanews24.

Hoxhë Driloni thotë se kjo është një çështje njerëzore dhe si e tillë është shumë e komplikuar.

Shkrimi i plotë i Drilon Gashit:
Mos ju bëni zullum LGBT-së!

Çështja e komunitetit LGBT është para se gjithash një çështje njerëzore dhe si e tillë është mjaft e komplikuar, qoftë nga aspekti konceptual, qoftë nga dimensioni social, mjekësor, biologjik, kulturor, ligjor dhe fetar.

Nga aspekti konceptual, ky grup i njerëzve nuk është një lloj, siç keqkuptojnë disa, por përfshin:
L-Lesbiket (femrat homo). G-Gey (meshkujt homo). B-Biseksualët. T-Transgjinorët.

Ka një polemikë të gjatë kulturore dhe shkencore se homoseksualizmi a është i lindur apo i fituar, a mund të mbahet nën kontroll dhe cilat duhet të jenë liritë dhe të drejtat e tyre.

Përkrahësit thonë se homoseksualizmi është orientim seksual (tërhekje erotike) dhe besojnë se kjo është shkaktuar nga ndërveprimi i ndërlikuar i ndikimeve gjenetike, hormonale dhe mjedisore, dhe nuk e konsiderojnë atë si një zgjedhje. Sjellja homoseksuale është natyrore, sepse është dokumentuar dhe është vërejtur në shumë lloje të kafshëve jo njerëzore gjithashtu. Nëse Zoti dhe natyra duhet ta dënojnë homoseksualin, atëherë sipas analogjisë, duhet të dënohet dhe urrehet edhe hermafroditi, shqetësimet seksuale dhe çrregullimet hormonale që ju ndodhin njerëzve. Tek e fundit, homoseksualizmi -thotë kjo palë- duhet të mbrohet nga pikëpamja e vlerave fundamentale liberale dhe me faktin se këta njerëz nuk i shkaktojnë kurrëfarë dëmi askujt me orientimin e tyre seksual.

Kundërshtarët thonë se aktiviteti homoseksual është i panatyrshëm sepse nuk është vërtetuar shkencërisht gjeni homoseksual. Edhe nëse vërtetohet që është fenomen i lindur dhe ndodhë si pasojë e sjelljes gjenetike, ai duhet të ndalohet dhe dënohet me ligj, sikurse sjellja e pedofilisë dhe vjedhjes, sepse edhe këto dyja mund të ndodhin si pasojë e ndikimit gjenetik. Shtoja kësaj – thonë kjo palë – sëmundjet ngjitëse si AIDS, sëmundja e prostatës dhe disa lloje të kancerit, më së shumti ndodhin dhe përhapen të ky grup. Tjetër: Nëse qenka dëshirë seksuale, atëherë pse duhet të ndalohet poligamia në shoqëritë perëndimore, nëse ajo bëhet me dëshirën e të dyja palëve? Dhe në fund të fundit, nëse duhet të bazohemi tek instinktet e kafshëve, e jo arsyeja njerëzore, atëherë duhet ta lejojmë edhe kanibalizmin, vrasjen, pedofilinë, incestin, zhveshjen nudo dhe orgjitë.

Polemika është e gjatë, megjithatë, kush duhet ta paguajë faturën, atëherë kur e drejta individuale atakohet me pjesën tjetër të shoqërisë?
Duket sikur perëndimi i jep përparësi teorisë së individualitetit, ndërsa lindja më shumë teorisë sociale.

Sa i përket fesë islame, ajo nuk i gjykon ndjenjat e brendshme të njerëzve të cilat vijnë në mënyrë natyrore, e për të cilat njeriu nuk ka kontrollë, si f.v. ndjenja e dashurisë. Të gjithë ata persona të cilët kanë tendenca të brendshme për shkak të ndjenjave të tyre, nuk mund të themi se po bëjnë haram, sepse harami e hallalli ndërlidhet me çështjet që njeriu ka zgjidhje në to apo sjelljet fakultative, e jo sjelljet kompulsive. Islami gjykon vetëm sjelljet e tona të cilat ne mund t’i kontrollojmë.

Profeti Lut (Loti), sipas Shkrimit të Shenjtë, e kishte paralajmëruar popullin e tij për zullumin, shthurjen dhe amoralitetin e tyre. Për rrjedhojë, njerëzit e paralajmëruar nga Luti u përpoqën të dëbonin profetin e tyre nga qyteti, madje ata u përpoqën të abuzonin seksualisht edhe me mysafirët (njerëzit engjëj) që i vinin Lutit. Si rrjedhim, Zoti e shkatërroi popullin e Lutit me një fatkeqësi, nga e cila shpëtuan profeti dhe besimtarët.
Muslimani mesatar konservator e merr këtë histori si një justifikim për të stigmatizuar homoseksualët, por këtu janë dy pyetje të rëndësishme që sipas mendimit tim meritojnë shqyrtim:

1-A u ndëshkua populli i Lutit pse ishin homoseksual, apo shkaku i dënimit të tyre ishte zullumi dhe sulmi ndaj Lutit dhe mysafirëve të tij?
2-Sjellja seksuale e popullit të Lutit, a ishte si pasojë e sjelljes së tyre të lindur natyrore, apo ishte një shfrenim i synuar seksual në kuadër të tejkalimit të tyre ndaj kufijve natyror njerëzor?

Nëse i meditojmë mirë vargjet Kuranore, e shohim se Zoti nuk e shkatërroi popullin e Lotit vetëm pse ata kryen marrëdhënie seksuale me gjininë e njëjtë, por sepse ata i sulmonin dhe përdhunonin mysafirët e Lutit, ishin agresorë ndaj të tjerëve dhe bënë shkatërrime të ndryshme në tokë.
[Ai tha: “Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë fuqi të madhe, (do t’i mbroja mysafirët e mi).] (Hud, 80).
Kështu që njerëzit e Lutit nuk ishin as demokratë dhe as liberalë, siç keqkuptojnë disa, sepse liberalizmi bazohet në liritë, dhe ata nuk i respektuan ato. Zoti nuk e shkatërroi popullin e Lotit vetëm sepse ata po bënin imoralitet (me pëlqimin e të dy palëve, siç thonë kundërshtarët). Thënia se populli i Lotit nuk dëmtoi askënd nuk është aspak e vërtetë! Gruaja e Lotit ishte partnere në përpjekjet për përdhunim, kështu që Zoti e shkatërroi edhe atë me ta.

Prirja e atyre burrave kah gjinia e njëjtë bëhej si pasojë e shthurjes së tyre morale, dehjes, tradhtisë bashkëshortore, orgjive të ndryshme, papastërtisë dhe abuzimit me të tjerët, e jo si një sjellje e lindur gjenetike apo ndjenjë e brendshme natyrore, siç përmend Kurani:
[Vërtet, ju të shtyrë nga epshi, u afroheni burrave duke i anashkaluar grate tuaja. Po ju jeni popull i shfrenuar”.](Araf, 81).
[(Të mjerët ju) A shkoni pas meshkujve të kësaj bote, e gratë tuaja i lini anash, të cilat Zoti juaj i krijoi për ju! Por ju jeni një popull që kalon çdo kufi!](Shuara:165,166).
Pra ata kishin gra me të cilat ishin të martuar, por i tradhëtuan ato dhe i tejkaluan kufijtë në zullum e padrejtësi.
Kurani edhe pse rrëfen këtë ndëshkim hyjnor për Sodomën dhe Gomorrën, ndryshe nga Dhiata e Vjetër, ai nuk dekreton ndonjë ndëshkim të caktuar tokësor për homoseksualitetin.

Mendimtarët islamikë mesjetarë nxorën një dënim tokësor duke e konsideruar homoseksualitetin si një formë tradhtie bashkëshortore. Por emra domethënës si dijetari i shekullit të tetë, Ebu Hanifja, themeluesi i shkollës popullore të jurisprudencës Hanefite, të cilës i atribuohen edhe bashkësitë tona fetare, argumentojnë se meqenëse një marrëdhënie homoseksuale nuk prodhon pasardhës me një baba të panjohur, ajo nuk mund të konsiderohet tradhti bashkëshortore.
Baza e vërtetë islame për ndëshkimin e homoseksualizmit janë hadithet ose thëniet që i atribuohen profetit Muhamed. Të njëjtën e hasim edhe për dënimet për braktisjen e fesë, herezinë, pandershmërinë ose “fyerjet” e Islamit: Asgjë nuk vjen nga Kurani; të gjitha janë gojëdhëna historike të caktuara. Por hadithet u shkruan pothuajse dy shekuj pasi jetoi profeti, dhe autenticiteti i këtyre haditheve është vënë në pikëpyetje në mënyrë të përsëritur – qysh në shekullin e nëntë nga dijetari Imam Nesaiu – dhe ato mund të vihen në dyshim sërish edhe sot.
Bile, nuk ka asnjë të dhënë historike që profeti në fakt të ketë dënuar homoseksualët.

Fakte të tilla juridike mund t’i ndihmojnë muslimanët sot të zhvillojnë një qëndrim më tolerant ndaj homoseksualëve, siç inkurajojnë edhe mendimtarët islamikë përparimtarë.
Vlen gjithashtu të kujtojmë se edhe Kalifati Osman, i cili sundoi botën myslimane sunite për shekuj (e që islami politik sot pretendon qe e imiton), ishte shumë më mendjehapur në këtë çështje. Në të vërtetë, Perandoria Osmane kishte një literaturë të gjerë të romancës homoseksuale dhe një kategori shoqërore të pranuar transvestitësh. Sulltanët osmanë, pa dyshim, në këtë çështje ishin shumë më liberalë socialë në krahasim me islamikët e botës sonë.

E ripërsësis, ajo që u dënua në historinë e Lutit nuk ishte orientimi seksual, por zullumi që u bënin njerëzve dhe ndër to edhe agresioni seksual. Jeta private e njerëzve është punë e tyre, ndërsa qëndrimi publik i myslimanëve duhet të jetë mbrojtja e homoseksualëve kur ata persekutohen ose diskriminohen – sepse Islami duhet të qëndrojë gjithmonë me të shtypurit.
Pavarësisht nga argumentet e tilla, shumica e myslimanëve ka të ngjarë të vazhdojnë ta shohin homoseksualitetin si diçka mëkatare, megjithatë, ata myslimanë që insistojnë në dënimin e homoseksualëve, duhet të kujtojnë gjithashtu se, sipas Islamit, njëra prej mëkateve më të mëdha është arroganca, të cilën Kurani e trajton si ndër shkeljet më të rënda morale. Ne duhet që të ikim nga mëkati i arrogancës, duhet të ndalemi nga stigmatizimi i të tjerëve për sjelljen e tyre dhe të përqendrohemi në përsosjen e vetvetes.

Dhe e fundit, përpara se të reagojmë për gjërat e tilla të komplikuara njerëzore, që shpeshherë nuk jemi kompetent të flasim, le të reagojmë kundër hajnisë së milionave, shtypjes se punëtorëve, krimeve të Serbisë, dhunimit të të miturave dhe mosfunksionimit të gjykatave në vendin tonë, reagime këto që shumë rrallë dalin prej atyre që e konsiderojnë vetën fetarë të devotshëm.