Droni ushtarak turk ‘Bayraktar‘ që bën ‘gërdin’ në Ukrainë, do të pajisë edhe Forcat e Sigurisë të Kosovës
Presidentja e Kosovës ende po qëndron në Turqi me ftesë të Erdoganit.
Lajmin për furnizimin e Kosovës me dronët vdekjeprurëse që po bëjnë gërdin në Ukrainë e ka bërë te ditur edhe vet kompania e prodhimit te dronëve “Baykar’.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan ka nisur sot vizitën zyrtare në Turqi.
Vizitën në Turqi ajo e filloi në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar“, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë.
“Gjatë qëndrimit në Stamboll po zhvilloj takime me odat ekonomike, prodhues industrial, përfaqësues biznesesh si dhe me komunitetin shqiptar të Turqisë. Në këto takime po shoqërohem nga një delegacion i bizneseve kosovare për t`i parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit me bizneset turke.
Ndërkaq në vazhdimin e vizitës, në Ankara, do të takohem me presidentin Erdoğan, ku përveç diskutimit për marrëdhëniet aktuale, do të shihen edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit. Përveç me presidentin Erdogan, do të takohem edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit turk”, shkroi Presidentja Osmani në median sociale.
