LAJME

A po largohet Përparim Rama nga LDK?

Kur kanë kaluar mbi 100 ditë prej kur është zgjedhur kryetar i Prishtinës, Përparim Rama ende nuk e ka falënderuar askënd për fitoren e tij. Nacionale, nga burimet në LDK, ka mësuar që kryetari Abdixhiku e ka humbur kontrollin mbi të. Në fakt, ai këtë kontroll nuk e ka pasur asnjëherë.

I pari i Prishtinës e ka kuptuar fjalëpërfjalshëm fitoren e tij në kryeqytet. Siç ka mësuar Nacionale nga burimet e veta, arkitekti i ardhur nga Londra edhe më tutje nuk e ka falënderuar askënd për suksesin e vet politik. E as kryetarin e partisë së tij, Lumir Abdixhikun.

“Të gjithë janë nervoz me të”, i ka thënë Nacionales një burim brenda LDK’së.

Sipas këtij burimi, nervoza me Përparimin nuk ka të bëjë vetëm më faktin që ai më shumë ndihet i pavarur se sa pjesë e LDK’së, por edhe me faktin se sa avash i ka marrë detyrat e të parit të Prishtinës.

“Publiku ka filluar ta humbë durimin me të. Nuk po shihet askund, kurse më shumë është në Londër se sa në Prishtinë”, ka thënë ky burim.

Deri më tash, prej kur ka fituar, projekti më serioz i administratës së re komunale është heqja e pengesave nëpër rreth rrotullime, që ishin vendosur nga administrata e kaluar.

“Ai duket që nuk është as i përgjegjshëm për pozitën e ka, e nuk është as i vetëdijshëm se fitorja e tij ishte një reagim i shoqërisë për ta penalizuar Vetëvendosjen”, tha bashkëbiseduesi i Nacionales, që është zyrtar i LDK’së në nivel qendror.

Sipas këtij burimi edhe vetë kryetari Abdixhiku është në telashe me të. “Nuk është i sigurtë nëse mund të komunikojë me të, siç komunikon kryetari i partisë me një kryetar komune”.

Gazeta ka mësuar se z. Rama gjatë gjithë kësaj kohe është sjellur si kandidat i pavarur. Zëvendësi i tij, Alban Zogaj, thotë burimi, po provon ta kompensojë prezencën e LDK’së si institucion.

Sipas burimeve të Nacionales, në kreun e LDK’së nuk do të befasoheshin nëse Rama të largohej nga partia, nëse do të provohej që të imponohej vullneti i partisë, mbi vullnetin e tij.