LAJME

Si erdhi në krye të Qeverisë dhe kush është Dritan Abazoviq?

Me 45 vota për, shqiptari Dritan Abazoviq sot është zgjedhur kryeministër i ri i Malit të Zi.

Abazoviq, në pasditen e sotme u propozua për kryeministër nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Por kush është Dritan Abazoviq dhe si erdhi në krye të qeverisë malazeze?

Dritan Abazoviq u lind më 25 dhjetor të vitit 1985 në Ulqin, ku u rrit dhe e përfundoi shkollën fillore e gjimnazin.

Në jetën politike, Abazoviq u përfshi herët. Në zgjedhjet e 2012-s partia e tij fitoi shtatë mandate në Kuvendin e Malit të Zi dhe ai u bë njëri ndër deputetët më aktiv në Kuvend.

Në fillim të vitit 2015 themeloi URA-në, lëvizjen qytetare integraliste politike. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në vitin 2016, URA mori pjesë si pjesë e “Koalicionit të Madh – Çelësi” dhe Abazoviq u rizgjodh deputet në Kuvendin e Malit të Zi.

Në mesin e korrikut të vitit 2020 URA i prezantoi opinionit platformën “E zeza në të bardhë”. Ky program nënkuptoi disa pika kyçe për përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Disa nga këto pika janë: krijimi shtetit të së drejtës dhe beteja pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e sistemit ekonomik, sistemit të arsimit dhe sistemit shëndetësor, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Koalicioni “E zeza në të bardhë” në zgjedhjet për Kuvendin e Malit të Zi arriti qëllimin e vet dhe u bë faktor kyç për pushtetin e ardhshëm. Pikërisht katër mandatet e tyre ishin vendimtare, sepse saktësisht aq janë nevojitur koalicioneve opozitare të formojnë shumicën në parlament dhe për herë të parë në historinë e Malit të Zi të ndryshojnë pushtetin në zgjedhje.

Parlamenti i Malit të Zi më 4 dhjetor të vitit 2020 e votoi Qeverinë e 42-të me radhë. Abazoviqit iu besua funksioni i nënkryetarit të Qeverisë që mbulon sektorin e sigurisë.

E sot, Abazoviq u mandatua nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviq dhe me 45 vota për u zgjodh kryeministër i ri i Malit të Zi./GazetaSinjali