LAJME

Punëtori i pastrimit rrëfen se si iu rrezikua jeta gjatë orarit të punës (VIDEO)

Ditë më parë, një punëtori në kompaninë publike për pastrim “Ekroregjioni“ në Suharekë, iu rrezikua jeta pasi, duke ngarkuar bërllok në kamion, kova të batolitit me vaj ranë mbi fytyrën dhe trupin e tij, substancë kjo e ndaluar të hidhet në bërllok.

Për këtë, në Info Magazine të Klan Kosovës, foli vetë punëtori Gentian Qamaj, i cili tregoi se si erdhi deri tek incidenti.

“Isha duke ngarkuar bërllok me kolegun tim, ne kemi marrë me ngarku kova të batolitit me vaj. Kur i kemi ngarkuar, kamioni pastaj duke i futur brenda, ato janë shpërthyer dhe mua më ka rënë fytyrës, syve, teshave dhe në ato momente, për rreth 20 minuta, nuk kam parë asgjë, sepse sytë më djegin për shkak të vajit”, tha Qamaj.

Punëtori tregoi se në ato momente prezent ka qenë edhe pronari i shtëpisë, i cili e ka hedhur në bërllok atë substancë, por as që ishte munduar të ndihmonte, duke thënë se nuk i intereson.

“Ka qenë edhe pronari i shtëpisë, e pa gjendjen time dhe tha ‘mua nuk më intereson, unë paguaj 4.50 euro, unë e paguaj për këtë punë’”.

Qamaj tha se ai dhe kolegët e tij rrezikohen shumë herë në punë, pasi ka plot raste kur në bërllok hidhen gurë, qeramika, apo boca, të cilat nuk lejohen të hidhen.

Pas incidentit, këngëtari Labinot Tahiri i kishte ofruar punëtorit 500 euro shpërblim ose pushime në Turqi, por Qamaj tha se përveç financimit të familjes, nuk është i interesuar për pushime.

“Unë me këtë pagë mbaj familje dhe jam me kushte të dobëta dhe nuk jam i interesuar për pushime, por vetëm bëj thirrje që të na kuptojnë, të na përkrahin, të na ndihmojnë me kushtet që i kemi ne. Kushtet i kemi shumë të dobëta, si me pagë, si me teknikë, dhe kemi shumë pak përkrahje, neve na nevojiten dorëza, uniforma dhe shumë gjëra tjera që nuk i kemi”, u shpreh Qamaj.

Sot kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i ndau mirënjohje Qamajt, për çka ky i fundit tha se i erdhi mirë.