LAJME

Vuçiq paralajmëron gjëra të mëdha në nismën “Ballkani i Hapur”

“Ballkani i hapur” është nisma më e mirë për popujt e Ballkanit, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në profilin e tij në Instagram, Vuçiq, sot ka postuar edhe foto nga video-konferenca e liderëve të vendeve pjesëmarrëse të këtij projekt rajonal.

“Po përgatisim gjëra të mëdha për qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, theksoi Vuçiq.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar deri më tani këtij projekti rajonal.

Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit i Malit të Zi, tha më 27 maj në Beograd, se Podgorica nuk ishte kundër nismës Ballkani i Hapur.

“Çdo nismë që çon në heqjen e barrierave, qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve, do të pranohet në Mal të Zi”, theksoi Gjuroviq, pas takimit me ministren e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Tatjana Matiq, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Ministrja Matiq shprehu shpresën se Mali i Zi do t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.

“Ne u pajtuam që se prania dhe mbështetja e Malit të Zi në atë nismë është shumë e rëndësishme”, tha Matiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, më 26 maj, tha se do t’i përgjigjet ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të marrë pjesë në samitin në Ohër.

“Çdo nismë rajonale që mund të përshpejtojë integrimin, është diçka që ne duhet ta pranojmë”, tha Abazoviq, duke shtuar se për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk ekziston alternativa.

Takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor./REL