Një takim i shumëpritur mes kryeministrit Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm amerikan, Anthony Blinken ndodhi. Por, nga ky takim dolën edhe mesazhe të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, e me theks të veçantë finalizimin e dialogut me Serbinë, që tashmë është në fokusin e SHBA-së.
Asociacioni që ka bllokuar procesin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit ishte edhe pjesë e diskutimit mes Osmanit, Kurti dhe Blinkenit në SHBA, ani pse jo në qendër të bisedës, por nuk mbet pa u prekur edhe kjo çështje.
Në deklarimin pas takimit, kryeministri Kurti tha se janë të gatshëm të ofrojnë zgjedhje kreative, për sa i përket dialogut me Serbinë, gjë që po e kërkojnë edhe SHBA-ja me Bashkimin Evropian.
Në lidhje me rendësinë dhe zgjidhjen kreative që po e përmend Kurti, Syri Kosova ka folur me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritro Arifi.
Ai thotë se krijimi i Asociacionit do të bëhet në një formë apo tjetrën.
“SHBA-të janë të vendosura për rëndësinë e dialogut dhe si duhet të përfundojë me njohje reciproke, pra njohja e dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, nuk duhet të ekzaltohemi sepse vendi ynë ka obligime të mëdha karshi dialogut dhe duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. E jona ka mbetur Asociacioni. Se vet takimi në Departamentin e Shtetit Amerikan, ishte një lloj shpërblimi për pranimin e marrëveshjes për energji. Pra, besoj kjo ka qenë pse i kanë takuar dhe dëshirojnë procesin, por gjithsesi pala kosovare duhet të tregojë kreativitet. Jam i bindur që një Asociacion do të bëhet, por forma si mbetet të shihet, se sa është qeveria kreative dhe çfarë ekspertësh mund t’i marr që ta përpilojë një status që nuk e prek elementin e Republikës së Kosovës”, argumenton Arifi.
Tutje, sipas profesorit, kompromis sa i përket dialogut, do të ketë, por e gjitha do të varet nga ajo se si do ta definojmë ne për brenda shtetit, për me tepër thotë se Kurti është përpara një përgjegjësie kombëtare për të nxjerr Kosovën nga izolimi.
“Unë besoj që Kurti do të jetë i detyruar të bëjë një kompromis. E se çka definojmë ne si kompromis, është çështje e jona e brendshme se si e shohim kompromisin në fund të dialogut. Një Asociacion pa kompetenca ekzekutive, apo një shkëmbim të Asociacioneve me Serbinë, pra për shqiptarët e Luginës ka modalitete të ndryshme, por ne duhet të tregohemi të guximshëm që të ecim tutje, që të mos mbesim peng i së kaluarës, sepse mbetja peng të çon të mos zhvillimi i Kosovës. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë, mos zhvillimi i Kosovë. Andaj, Kurti ka një përgjegjësi kombëtare që ta zhbllokoj Kosovën nga izolimin në të cilin gjendemi si shtet”, shprehet profesori Arifi në bisedën me Syri.net
Sa ky takim kishte peshë të madhe në aspektin politike e gjeostrategjik, po e vlerëson edhe Dritro Arifi.
Pesha e këtij takimi ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme si nga aspekti politikë, strategjik dhe gjeostrategjik, sepse në këtë rast SHBA-të edhe njëherë e vulosën në aspektin institucional siç është DASH, sa i përket shtetit të Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Ky ka qenë mesazhi që dha sekretari Bilken, me pavarësinë e Kosovës që është e pakthyeshme, me njohjen e Kosovës nga Serbia në fund të dialogut, e mbi të gjitha është edhe një mesazh për ato vendet evropiane që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Në anën tjetër ishte LVV-ja që Kurti e drejton, që tentoi të mohojë se Asociacioni ishte pjesë e diskutimit mes Blinkenit dhe liderëve kosovarë.
Në një reagim të lëshuar nga VV-ja thuhet se SHBA-ja ka përmendur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo formimin e Asociacionit të komunave serbe.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin qëndrimin se dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes.
Në qendër pra e jo në fund. Në qendër të marrëveshjes njohja reciproke e jo asociacioni. Në qendër njohja e jo kompromisi. Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka mbajtur këtë qëndrim që më pas u përkrah edhe nga presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Tash, për herë të dytë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin qëndrimin që njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes Kosovë-Serbi” thuhet në njoftinin e LVV-së, raporton Syri Kosova.
Se Kurti mund të bëjë kompromis u pa edhe arritja e marrëveshjes me MCC-në dhe atë të energjisë për veriun./Syri.net Kosova