LAJME

Analisti i njohur zbardh faktet: Ju tregoj pse Messi është me origjinë shqiptare

Analisti i njohur Lutfi Dervishi ka reaguar për origjinën e futbollistit të njohur, Messit. Dervish është shprehur i bindur se ai i ka rrënjët nga Shqipëria.

Komenti i plotë i Lutfi Dervishit:
Messi, ylli shqiptar në galaktikën kuqezi
Fatkeqësisht, ka ende njerëz që nuk po e besojnë dot se Lionel Messi, një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjithë kohrave është me origjinë shqiptare. E vërteta është një dhe vetëm një: Ai është një tjetër yll shqiptar në galaktikën e pafundme të vlerave kuqezi nëpër botë.

Doni më shumë fakte për pikëpyetjet tuaja? Për ata që duan të shohin, dëgjojnë dhe kuptojnë, gjatë muajit të botërorit në Katar u zbuluan mjaft të dhëna që vërtetonin katërcipërisht rrënjët, degët dhe sythet e Messit. U faktua se familja e tij nga nëna ka emigruar në Argjentinën e largët nga fshatrat arbëreshë të Italisë së Jugut ku thuhet se fillimisht ka hyrë ilegalisht përmes një varke me vela bashkë me një grup tjetër emigrantësh.

Më poshtë rendisim vetëm disa prej “shenjave” që garantojnë origjinën e birit të atdheut tonë, Messit të madh, yllit shqiptar që vendosi krenarinë tonë kombëtare në piedestalin e nderit.

Ka patur një pyetje prej 20 vjetësh që besoj e mori përgjigjen se kush është lojtari më i madh i të gjithë kohërave, Mesi apo Ronaldo. E patë në botëror se si e trajtuan Ronaldon ata që i konsideronte të vetët. Traineri e poshtëroi pasi e la në stol dhe si për t’i ulur krenarinë e fuste dhe e nxirrte nga loja si të qe një lodër me kurdisje.

Ai i shkretë nuk hapte gojën, por vetëm vraponte dhe mobilozonte të tijët për të fituar. Po Messi? Erdhi dhe mbeti si zotni i vërtetë, nga ato që të kujtojnë Mesët shkodranë, 70% të kohës ecte në fushë pa u shqetësuar dhe kur t’i mbushej mendja ndizej si motorr me bateri për të shpartalluar portën kundërshtare. Po le të guxonte traineri ta hiqte… Ai do t’a bënte për një lek në sy të kamerave dhe do ta shante me libër shtëpie siç i ka hije një burri me gjak shqiptari që nuk të fal, sidomos, në raste si këto.