Nga Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut thonë se këtë vit vetëm 2.030 persona janë pranuar për kryerjen e pelegrinazhit, respektivisht Haxhit, përcjell TV21. Nga BFI shtojnë se të interesuar kanë qenë mbi 3000 persona, ndërkaq theksojnë se çmimi për këtë vit ka qenë 6.550 euro, pasi sipas tyre, për akomodim janë siguruar hotele më të mira.
Në vijim, njoftimi i plot i BFI-së:
NJ O F T I M
Në bazë të vendimeve nga Mbledhja e fundit e Rijasetit të BFI të RMV, njoftojmë opinionin e gjerë dhe nijetlinjtë e regjistruar të Haxhit të sivjetëm, se Rijaseti i BFI pas një analize të gjerë mbi kushtet e sivjetme të Haxhit dhe duke u dhënë rëndësi kushteve më të mira, që vendosja dhe qëndrimi gjatë gjithë kohës së Haxhit të jetë në hotele më afër Qabesë në Mekë dhe Xhamisë së Pejgamberit (a. s.) në Medinë, vendosi që:
– Çmimi për një arazhman për Haxhin 1444/2023 është 6.550,- euro.
Në këtë çmim përfshihen:
– Akomodimi në hotel në Mekë (23 net)
– Akomodimi në hotel në Medinë (5 net)
– Udhëtimi me aeroplan, vajtje-ardhje, në relacionin: Shkup-Xhedda dhe Medine-Shkup
– Taksa për qëndrim në Arafat dhe vende të tjera të shenjta
– Transporti i haxhinjve në vendet e shenjta (Meka, Medinë);
– Ushqimi gjatë qëndrimit 28-ditor në Mekë dhe në Medinë;
– Pagesa e kurbanit;
– Ihrami;
– Vaksinimi;
– Barnat;
– Transporti prej Myftinive deri në Aeroport dhe anasjelltas;
– Ekipi mjekësor dhe udhëheqësit fetarë;
– Marrja e vizës dalëse;
– Harxhimet administrative të Myftinive të BFI-së.
Numri është plotësuar konform kuotës së caktuar nga Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite dhe sivjet udhëtarë për në vendet e shenjta do të jenë 2.030 haxhinj.
Fatkeqësisht, për shkak të paraqitjes së numrit të madh të kandidatëve, mbi tre mijëve (3.000) nuk është e mundur t’u realizohet dëshira për shkuarje në Haxh, kështu që kandidatët që kanë qenë në pritje, do të jenë në listën e Haxhit 2024.
Të gjithë nijetlinjve të Haxhit 2023 u dëshirojmë Haxh të pranuar.
Komisioni Qendror i Haxhit 2023 i BFI të RMV
Shkup, 4.05.2023
Më poshtë janë fotot e hoteleve në Mekke dhe në Medine.