E rëndë, vdes foshnja që u gjet e braktisur dje në Tiranë, nëna 30 vjeçare: E fsheha shtatzaninë, jam e pamartuar
oshnja e porsalindur, e gjinisë mashkull, që u gjet i braktisur ditën e djeshme (8 nëntor) në një bodrum në zonën e Yzberishtit, ndërroi jetë sot paradite në Maternitetin “Koço Gliozheni”.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në facebook nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”
Ndërkohë policia ka ndaluar nënën 30 vjeçare që akuzohet për braktisjen e foshnjës së porsalindur. Në dëshminë e saj para hetuesve e reja nga Pogradeci ka deklaruar se e kishte fshehur shtatzaninë pasi nuk ishte martuar dhe kishte frikë nga familjarët dhe opinioni i shoqërisë.
Ajo do të akomodohet tek blloku i sigurisë sapo të dalë nga spitali ku po merr ndihmë mjekësore.
Foshnja nuk mundi të mbijetonte, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e vogëlushit nuk paraqiti asnje përmirësim si pasojë e hemoragjisë pulmonare dhe hipotermi. Bebja shkoi dje pa shenja jete në spital, por erdhi në jetë pasi u fut në reanimacion intensiv dhe masazhit kardiak ndërsa sot zemra e tij ndali. Sipas informacioneve nga bluzat e bardha, shkak i kësaj gjendje të foshnjes është bërë lindja e tij në kushte të papërshtatshme. /shqiptarja.com/


