Taulant Xhaka: I thash Granitit, vëlla mos shko në Leskoc me lujt me Serbinë, por ja cila ishte përgjigja
Zvicra të shtunën do të përballet me Serbinë në Ligën e Kombeve. Ky do të jetë dueli i radhës i këtyre dy vendeve pas ndeshjeve në Kupën e Botës 2018 dhe 2022.
Të gjithë sytë janë te kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, vëllai i madh i të cilit Taulanti madje iu lut të mos luante në Serbi, përcjell INA.
Në Botërorin e Rusisë, Granit Xhaka tregoi shqiponjën shqiptare kur shënoi gol, ndërsa në Katar 2022 e iu drejtua me një porosi pankinës së kombëtares serbe, për këtë arsye është i urryer në atë vend.
Vëllai i tij Taulanti është i vetëdijshëm për tensionet që mund të ketë në ndeshjen e radhës, madje i ka kërkuar Granitit të mendojë nëse fare duhet të luajë në Serbi.
“Unë e di vetë se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë lojë”, tha Taulanti, i cili është përfaqësues i kombëtares shqiptare dhe pati mundësinë të luajë kundër Serbisë në vitin 2014.
Ai po ashtu ka treguar se menjëherë pas shortit ka marrë telefonin dhe i ka sugjeruar Granitit që të mos luajë.
“I sugjerova Granitit të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta tejkalonte këtë lojë, por të gjithë e njohim vëllain tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën”, tha Taulant Xhaka për Blick të Zvicrës, duke shtuar:
“Nuk është e lehtë të qëndrosh nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen përsëri kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuash, por në fund gjithçka përfundon në këtë: luaj lojë dhe fito”, ka thënë Taulanti. Ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës është caktuar të shtunën dhe do të luhet në Leskovc.(INA)
