Tërnava po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19, iftaret të kryhen në shtëpi dhe të mos ketë vizita.

“Veprimi i parë i besimtarëve mysliman se po nisin muajin e shenjtë të Ramazanit është falja e teravive, e që fatkeqësisht sivjet jemi të privuar përkohësisht që ky ibadet të kryhet bashkërisht në xhamitë tona… Për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë t’i shmangim edhe vizitat e iftarit te njeri-tjetri dhe ibadete e iftaret të bëhen nëpër shtëpitë tuaja”, tha ai, raporton Telegrafi.

Myftiu i Kosovës tha se Ramazani po niset në këtë gjendje me shpresë te Zoti se fundi i tij do të na gjejë në gjendje normale.

Tërnava tha se agjërimi i muajit të Ramazanit është njëra prej pesë shtyllave të fesë Islame, është muaj i faljes, mëshirës, solidaritetit, lutjes, pendimit e sakrificës.

“Gjatë këtij muaji t’i shtojmë veprat e mira, të jemi më solidar e human krahas muajve tjerë”, tha ai.