Nesër është dita e parë e agjërimit për besimtarët islam. Me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kreu i Bashkësisë fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Sulejman Rexhepi ka përcjell mesazh urimi deri tek besimtarët, por duke shprehur edhe keqardhje që ky muaj i shenjtë po vjen në kohë pandemie.
“Për fat të keq, kësaj here ky muaj i shenjtë vie në një kohë delikate e të vështirë për tërë njerëzimin, i cili po lufton me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19. Ndodh në kohën kur të gjithë Ne po përpiqemi të mbrojmë veten dhe familjet tona, të mbrojmë shoqërinë e të mbrojmë popullin” është shprehur Rexhepi.
Ai më tej në video-mesazh rikujton pesë vlerat universale, për të cilat thotë se myslimani detyrimisht duhet t’u kushtojë vëmendje të plotë dhe s’guxon të dëmtojë asnjërën prej tyre, sepse çdo veprim ndryshe konsiderohet rreptësisht i ndaluar, dhe bart përgjegjësi jo vetëm morale por dhe ligjore islame.
“Këto vlera janë ruajtja e fesë, e kombit – Ummetit dhe vatanit, ruajtja e jetës dhe e trupit, ruajtja e mendjes – e arsyes, ruajtja e familjes, e nderit dhe e moralit; dhe ruajtja e pasurisë private dhe shoqërore”, thotë kreu i BFI-së.