Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj thotë se kryetari i AKR’së Behgjet Pacolli ka qenë në izolim javët e fundit dhe se s’ka arsye që ai të qëndrojë 14 ditë në karantinë në Qendrën e Studentëve në rast të kthimit në Kosovë.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Zyberaj thotë se karantinimi në konvikte është model kinez derisa Pacolli u është përmbajtur strikt rregullave të autoriteteve zvicerane.
Sipas tij, Pacolli do të hynte në Kosovë me avion privat direkt nga shtëpia e tij në Lugano, duke mos pasur kontakt me njerëz të tjerë.
“z.Behgjet Pacolli ka respektuar rreptësisht rregullat e autoriteteve zvicerane dhe ka qëndruar në shtëpinë e tij në Lugano në mbyllje në javët e fundit që nga shpërthimi i virusit. Ai nëse vjen, vjen direkt nga shtëpia e tij, me avion privat duke respektuar rregullat e udhëzuara në Zvicër”, thotë Zyberaj.
“Si del se autoritetet e Kosovës nuk kanë besim në rregullat e zbatuara nga autoritetet zvicerane?. Ideja për karantinë në një konvikt studentor është një model kinez që nuk është aplikuar në vendet e përparuara të Evropës”, shkroi ai.
Ministria e Infrastrukturës i ka thënë sot Gazetës Express se i është thënë leje Pacollt që me avion privat të vijë në Kosovë.
Por Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se rregullat janë publike dhe zbatohen për të gjithë njëjtë, përfshirë këtu edhe për kreun e AKR’së, Behgjet Pacolli.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve. Shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha. Andaj, që në fillim të shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në vendin tonë, në koordinim të plotë me të gjitha ministritë e linjës, janë përcaktuar rregullat bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Vitia.
Sipas rregullave kushdo që hyn në Kosovë, duhet të izolohet për dy javë në konviktet e studentëve në Prishtinë.