Abelard Tahiri: Presidenti e paska dekretuar Hotin, do të jete qeveri e përfitimeve, jo e parimeve
Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pasi Presidenti Hashim Thaçi e ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për kryeministër.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalohet tek një koalicion i interesave të bëme.
“Presidenti paska dekretuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër i qeverisë së re. Kështu, ish zëvendëskryeministri që para tre muajsh e lavdëronte shefin e tij Albin Kurtin si kryeministër i shpresës, tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet”, thotë Tahiri.
“Por në tërë këto zhvillime politike, ku koalicionet ranë e u ngritën shpejt, qytetarët megjithatë nuk morën përgjigje se ku mbeti shpresa e LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe si u bënë “kapësit e djeshëm të shtetit”, partnerë të LDK-së në qeverinë e re”, thekson ai.
“Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e meriton”, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/