Ismaili: Ministrisë iu kërkua urgjentisht të çojë një psikiatër në karantinë për 26-vjeçarin, nuk e çuan
Ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar pas vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve. Ismaili ka thënë se më e pakta që do të duhej të ndodhte sot është dorëheqja e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë dhe u.d të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.
Ismaili ka thënë se Ministrisë së Punëve të Brendshme i është përcjellë një e-mail, përmes së cilës ishte kërkuar urgjentisht që të dërgohej një mjek psikiatër në karantinë, meqenëse 26-vjeçari që vdiq dje ishte në depression.
Sipas Ismailit, pavarësisht kërkesës, një mjek i tillë nuk ishte dërguar.
“Kemi një sërë sinjalesh që tregojnë se Agoni nuk ka qenë një rast që nuk janë paralajmëruar institucionet. E-maili që iu është dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të dërgohet një mjek psikiatër urgjentisht në karantinë, sepse Agoni është në depression. Nuk është dërguar mjeku, ka pasur sinjale të mjaftueshme për reagim”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka thënë se vdekja e Agon Musliut nuk duhet heshtur dhe fshehur. Ai ka thënë se ky rast duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë urgjentisht.
“Vdekja e Agonit nuk duhet heshtur dhe nuk duhet të fshihet. Ky rast duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë, urgjentisht dhe plotësisht. Të gjiuthë ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi sa më parë. Agoni ishte nën përkujdesje të shtetit, këtu nuk ka dilemë. Të gjithë ata që me veprimet apos mos veprimet e tyre shtynë ose krijuan kushtet që ky i ri t’I jap fund jetës në karantinë duhet të japin përgjegjësi, meqenëse Agoni ishte në përkujdesje të shtetit”, ka deklaruar ai.
Ismaili ka thënë se 26-vjeçari u dërgua në karantinë, pavarësisht rekomandimeve të Ambasadës në Berlin që Agoni të dërgohej në shtëpi.
Sipas Ismailit, bashkë me Agonin ishin kthyer eedhe 146 qytetarë të tjerë. Thotë se vetëm nëntë ishin dërguar në karantinë, derisa 138 të tjerë ishin lejuar të shkojnë në shtëpi.
“Ky akt tragjik na ka tronditur të gjithëve, Ai ishte një student i shkëlqyeshëm në Gjermani, dhe sapo ishte kthyer në Kosovë së bashku më 146 qytetarë të tjerë. Nëntë në karantinë, 138 janë lejuar të shkoijnë në shtëpi. Pavarësisht rekomandimeve të Ambasadës në Berlin që edhe Agoni të dërgohej në shtëpi, ai përfundoi në karantinën në Qendrën e Studentëve”, ka thënë Ismaili para gazetarëve. /Gazeta Express