Periskopi ishte sulmuar në mënyrë të papranueshme nga ministresha e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, lidhur me një tekst në të cilin ngritej pretendimi i pambështetur se mund të kishte pasur mospajtime e fërkime në Lëvizjen Vetëvendosje. Por, shihni se çka ndodh tash: ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Glauk Konjufca, vazhdon të mbetet i heshtur e jashtë syve të publikut edhe pas 13 ditësh.
Për herë të fundit në publik, Konjufca është parë në studion e RTV Dukagjinit ku përballë analistëve po sulmonte këshilltarin e kryeministrit Kurti, z.Shkëlzen Gashi për deklaratat e tij ndaj UÇK-së dhe Dick Martyt.
Deklarimet e forta të Konjufcës bënë që Kurtit të mos i mbetej rrugë tjetër pos shkarkimit të Gashit, e megjithatë Glauk Konjufca nuk ka folur e nuk është dukur më prej asaj dite, shkruan Periskopi.
Ai mungoi edhe para tri ditësh kur u mbajt mbledhja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. E Konjufca është njeriu i dytë më i fuqishëm në këtë parti, pas Kurtit, pasi në zgjedhjet e 6 tetorit i mblodhi 76 mijë vota. Në atë mbledhje të kryesisë ishin prezentë të gjithë figurat e tjera të rëndësishme, përfshirë Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Xhelal Sveçlën, Liburn Aliun e të tjera.
As në Facebook-un e tij z.Konjufca nuk ka bërë kurrfarë reagimi për asnjë çështje, madje as atë të vdekjes tragjike të Agon Musliut te konviktet, i cili ishte kthyer nga Gjermania duke e përfshirë në rast edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që udhëhiqet nga ish kryetari i Kuvendit.
Ishte ministria që drejtohet prej tij ajo që bëri një reagim bashkë me ministrinë e Shëndetësisë, e ku thuhej se përkundër dokumentit ku shkruhej se Agon Musliu kishte probleme shëndetësore e se për një gjë të tillë kishte edhe vërtetim mjekësor, në fakt ai nuk ekzistonte.
Por, kjo komunikatë nuk mban nënshkrimin e ministrit Glauk Konjufca në versionin elektronik dhe nuk besohet të jetë nënshkruar as në versionin e shtypur.
Për më tepër, Konjufca së fundi u sulmua ashpër në një intervistë nga i shkarkuari Shkëlzen Gashi, por megjithatë nuk reagoi ashtu siç nuk reagoi edhe për sulmet e tjera që mori pikërisht nga eksponentë të ndryshëm të VV-së. /Periskopi