LAJME

Kurti: S’iu ankova askujt për Grenellin, ka shumë akterë që keqinformojnë për mua dhe Qeverinë – VIDEO

Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka sqaruar letrën që i ka dërguar zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence në të cilën përmend se emisari special i presidentit amerikan Richard Grenell është keqinformuar.

Ai ka thënë se kjo është një letër e vjetër që është shkruar në mes të muajit prill ku ka sqaruar qëndrimet si Qeveri e Kosovës.

“Sa i përket letrës me të cilën po merren tash aq shumë njerëzit: Ajo nuk është letër e këtij muaji fare, por është një letër që është shkruar diku ka mesi i muajit prill. Në muajt shkurt, mars dhe prill ju kam shkruar shumë letra të gjithë krerëve institucionalë në SHBA, ashtu si edhe atyre në BE, sepse një ndër detyrat e mia është që të komunikoj me të gjitha qendrat e superfuqive, me të gjitha shtetet mike dhe partnere”.

“Bëhet fjalë për një letër e cila është gati një muaj e vjetër, pra nuk është letër e këtyre ditëve. Me atë letër, unë falënderoj SHBA-të për ndihmën e vazhdueshme dhe përkrahjen që na e kanë dhënë, ashtu sikur shpreh edhe zotimin tim që do të vazhdoj përkushtimi ynë për marrëdhënie të mira me SHBA-të”.

“Një pjesë e letrës, me sa mbaj mend, i referohet situatës me pandeminë Covid-19 dhe gjithashtu unë kam shprehur edhe qëndrimet tona si Qeveri e Kosovës dhe të miat si kryeministër në detyrë për çështje të ndryshme politike, përfshirë edhe dialogun me Serbinë”.

Ai ka thënë se nuk i është ankuar askujt duke shtuar se ka shumë akterë që keqinformojnë për figurën e tij, si kryeministër në detyrë dhe politikan, dhe qeverinë që drejtohet nga ai.

“Unë nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Richard Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mia mbi këtë dialog se si duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Në veçanti po e theksoj që për shkak se ka shumë keqinformim për qeverinë tonë dhe për mua jo vetëm si kryeministër, por edhe si politikan në përgjithësi, se çfarë bëj dhe çfarë them kam shprehur qëndrimet e mia që të mos ketë keqkuptime. Nuk janë letra lobuese, por janë letra zyrtare që i dërgon kryeministri i një shteti krerëve të një shteti tjetër”.

Kurti nuk e ka pohuar ose mohuar se në letrën që i ka shkruar zëvendëspresidentit amerikan thotë se presidenti Hashim Thaçi po e keqinformon ambasadorin Richard Grenell.

“Ka shumë akterë që keqinformojnë për mua dhe nuk dua të merrem me të gjithë ata. Për shkak se ka imazh ndonjëherë të deformuar të qëndrimeve tona dhe neve si qeveri unë e kam sqaruar pozicionin tonë”.

I pari i qeverisë në detyrë ka thënë se nuk e ka as kohën dhe as dëshirën që të mendoj nëse emisarët e SHBA-së dhe BE-së për dialogun, Richard Grenell dhe Miroslav Lajçak janë emrat e duhur.

“Besoni, unë ditë dhe natë mendoj për Kosovën, mendoj për situatën e pandemisë dhe as nuk e kam kohën, dëshirën, interesin dhe mundësinë që tash të mendoj se sa janë të duhur emisarët e superfuqive. Mos ma ngarkoni edhe këtë barrë, sepse kam mjaftueshëm punë të mëdha të bëj”.

LEAVE A RESPONSE