Në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Bashkimi Evropian duhet të shkojë “dorë për dore” me Shtetet e Bashkuara, tha përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, ai deklaroi se kriza e shkaktuar nga koronavirusi tregoi se BE duhet të jetë “më e shpejtë dhe më e dukshme” në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është në rendin e ditës.
“Ne kemi parë një reagim shumë të fortë negativ për zëvendësimin e territoreve – në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit, si dhe në vendet e BE. Kjo më çon në përfundimin se nuk është në rendin e ditës, as nuk duhet të jetë në rendin e ditës”, tha Lajçak.