Profesorët universitar u bëjnë thirrje politikanëve që të heqin dorë nga fjalori fyes dhe gjuha e urrejtjes ndërmjet tyre pasi kjo po ndikon negativisht në polarizimin e shoqërisë.
Filozofi Blerim Latifi thotë se gjuha e ashpër dhe e pakontrollueshme e politikanëve mund të sjellë pasoja të mëdha në vend.
Ai u ka bërë thirrje partive politike që të edukojnë zyrtarët dhe militantët e tyre nga gjuha e urrejtjes dhe mos durimit.
“Fjala politike është akt politik. Politika operon përmes fjalëve e gjuhës dhe nëse ky instrument keqpërdoret, abuzohet dhe përdoret në mënyra të vrazhda, atëherë natyrisht se rezultati do të jetë negativ. Gjuha e ashpër nëse jo sot, nesër do të prodhojë dhunë politike. Është momenti i fundit që të gjitha partitë politike të reflektojnë dhe gradualisht t’i edukojnë edhe zyrtarët e tyre edhe militantët që të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes dhe mos durimit”, deklaroi Blerim Latifi për RTV Dukagjinin.
Ndërkohë profesori universitar Faton ismaili thotë se gjuha e ashpër përdoret me qëllim për ta ndarë shoqërinë e më pas për ta dominuar kundërshtarin.
Ismaili deklaron se një polarizim i tillë në Kosovë ka ndodhur edhe në të kaluarën.
“Gjuha e ashpër, linçuese e fyese, gjuha për të dërrmuar kundërshtarin përdoret për të ndarë shoqërinë dhe më pas për të dominuar diskursin publik. E kur dominohet gjuha e një subjekti e ka më të lehtë të merr edhe pushtetin. Grupet e caktuara dhe partitë politike po synojnë të ndajnë shoqërinë sa më tepër, në mënyrë që në luftën e ardhshme politike të dalin fitues dhe të rekrutojnë sa më shumë njerëz në anën e tyre duke ja u imponuar rrëfimin e tyre se është i drejtë dhe i vërtet”, tha Faton Ismajli.
Muajt e fundit Presidenti Thaçi dhe ish-kryeministri Kurti kanë treguar një pa durueshmëri mes tyre duke e shprehur atë edhe përmes polemikave në publik./Telegrafi/