LAJME

Deputetët e ftojnë Hotin në raportim para nisjes për në Washington

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë mori vendim që të ftohet për raportim kryeministri Avdullah Hoti për të raportuar për qasjen e tij politike për takimin në Washington, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe dialogun Kosovë – Serbi

Gjatë mbledhjes pati mosmarrëveshje ndërmjet deputetëve rreth kësaj ftese, përfshirë menaxhimin e pandemisë dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Gazmend Gyshinca, deklaroi se duhet të sqarohet se përse Qeveria ka ndalur zotimin për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Qëllimi për t’i thirrur në raportim është për t’u sqaruar. Zotimin e Serbisë për të ndalë fushatën për çnjohje të Kosovës nuk po ndodh. Flitet për zotim të qeverisë sonë me ndaljen e angazhimit tonë për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare”.

Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e quajti diskrepancë letrën e VV-së lidhur me heqjen dorë nga organizatat ndërkombëtare.

Gashi tha se është e papranueshme të thirret kryeministri në raportim.

“Në të tria letra është pa thonjëza ‘heqja dorë nga organizatat ndërkombëtare’. Asnjë nga krerët e institucioneve nuk është deklaruar ashtu, kjo është diskrepancë”.

“S’po e kuptoj këtë energji negative, ne jemi të gatshëm këdo të rëndësishme për mbikëqyrje parlamentare, këto përleshje janë të paarsyeshme”.

Anëtarja e komisionit nga Aleanca Kosova e Re Mirlinda Sopi-Krasniqi, u shpreh kundër ftesës për raportim të kryeministrit, derisa tha se duhet të raportojë MPJ lidhur me riatdhesimin e qytetarëve gjatë pandemisë.

“Është në shpërputhje me rregullat për të thirrur në raportim kryeministrin, duhet të vijë në raportim vetëm Ministria e Punëve të Jashtme. Të kemi një raport të saktë dhe qartë nga MPJ për riatdhesimin e qytetarëve”.

Ajo akuzoi deputetët e VV-së se po bëjnë skena para kamerës.

“Kam ra në këtë nivel me diskutua me Fitoren”.

Deputetja e Partisë Demorkratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, pyeti a kemi bazë ligjore për të thirrur kryeministrin.

Anëtarja tjetër nga Vetëvendosja, Fitore Pacolli, tha se heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të thotë se ne jemi shtet hajgare.

“Është një situatë shqetësuese dhe kemi bërë këtë thirrje. Mosparaqitja e kryeministrit dhe dy ministrave derisa kanë hequr dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”.

“Ta ngojmë Arbenin duke folur përralla nëse këtë nuk e bëjmë atëherë pse ekzistojmë si komision. Çfarë shteti jemi, Qeveria që është bërë me këto parti është hajgare”.

“Pse po reagoni kur ne themi të vërtetën. Ky komision nuk duhet të ekzistojë nëse ju refuzoni për mos me i thirr krerët”.

Kujtim Shala nga LDK-ja tha se është pro thirrjes së kryeministrit për raportim, të shohim nëse ka një zotim të tillë ose jo.

“Jam pro thirrjes së kryeministrit, por nuk do të thotë që të ftohen edhe ministrat nëse ftohet kryeministri”, tha ai.

Ndërkaq, Enver Hoxhaj nga PDK-ja, u shpreh “për” ta ftuar kryeministrin për t’i informuar për takimin në Washington, raporton EO.

“Situata në të cilën ndodhët vendi është serioze. Jam që të ftohet kryeministri në takim, çështja edhe të ftohet para apo pas takimit në Washington. E rëndësishme për ne është se me çfarë platforme shkon Kosova në Washington. Për ne do te ishte e rëndësishme se cila është qasja e tij politike për çka shkohet në Washington. Do duhej që si komision të jemi në interes të vendit e jo partiake. I kish shërbye vendit me pas informata në detaje e jo se çfarë thotë çdo ditë në medie, duke përfshirë edhe dialogun”, tha Hoxhaj.

LEAVE A RESPONSE