LAJME

Puna nga shtëpia gjatë pandemisë, çka duhet të dini?

Puna nga shtëpia është një temë mjaft aktuale këto ditë, pasi që kompani të shumta janë duke zbatuar politika të punës nga shtëpia për shkak të përhapjes së COVID-19.

Edhe pse fillimisht puna nga shtëpia mund të duket gjë e lehtë, megjithatë jo çdokush mund t’i përshtatet një ndryshimi të tillë pasi shumica janë mësuar të punojnë në zyrë, në një ambient të rrethuar me kolegët e punës.

Megjithatë, ka disa strategji kryesore për të punuar nga shtëpia kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave tuaja në mënyrë efektive.

Akademi Pune ju sjell disa metoda që mund t’i aplikoni gjatë kësaj periudhe të punës nga shtëpia:

Krijoni një ambient të rehatshëm pune

Punonjësit që kanë përvojë të punës nga shtëpia, e pranojnë që kanë një hapësirë të caktuar të cilën e shfrytëzojnë për punë. Nëse nuk keni një tavolinë të caktuar pune, mund ta përdorni tryezën tuaj të ngrënies si një të tillë. Kësisoj, ju do të ndjeheni sikur të ishit në zyrën tuaj të punës. Kjo ju ndihmon të mbani një qëndrim pozitiv, të shmangni shpërqendrimet dhe t’i përkushtoheni punës tuaj më shumë.

Qëndroni në kontakt me kolegët tuaj

Krijoni listë të detyrave që duhet t’i kryeni për të mbajtur veten të organizuar dhe përqendruar. Po ashtu, shpërndani listën tuaj me mbikëqyrësin tuaj dhe bashkëpunëtorët tjerë në mënyrë që ata të jenë të informuar rreth ecurisë së punës. Përveç shkëmbimit të mesazheve me anë të postës elektronike (email), është ide e mirë të keni kontakte të rregullta përmes telefonit ose video konferencave si Skype, FaceTime ose Zoom.

Merrni ajër të pastër

Ekspertët e shëndetësisë këshillojnë që të kufizohet kontakti me njerëz të tjerë. Prandaj, nëse veç keni filluar punën nga shtëpia, preferohet të hapni dritaret tuaja që të ketë sa më shumë dritë dite natyrale dhe ajër të pastër. Po ashtu, në kohën e pauzës është mirë që të bëni shëtitje të shkurtra nëse jetoni në një zonë të papopulluar, si dhe sigurohuni që t’i lani duart sapo të ktheheni në shtëpi.

Mos qëndroni ulur tërë ditën

Të ndenjurit ulur gjatë gjithë ditës nuk është e shëndetshme edhe nëse jeni në zyrë, por të punoni nga shtëpia do të thotë të keni më pak arsye për tu ngritur nga karriga gjatë ditës. Që të mos kaloni në monotoni, është mirë të merrni pauza të shkurta që të mund të praktikoni ushtrime trupore. Kësisoj, do të jeni në gjendje t’i ktheheni punës me më shumë energji./Kosovapress/

LEAVE A RESPONSE