LAJME

​Pandemia varfëron qytetarët, por jo deputetët e Kuvendit të Kosovës

Ani pse institucionet në Kosovë u sfiduan nga kriza që erdhi si pasojë e përhapjes së Covid-19, të zgjedhurit e popullit nuk u përballën me probleme me të ardhurat. Deputetët e institucionit që u pasivizua gjatë këtyre muajve, për shkak të pandemisë dhe krizës politike, morën paga të plota. E monitorues të punës së Kuvendit, po vlerësojnë që ky institucion është dashur të jetë më aktiv gjatë kësaj periudhe.

Mesi i muajit mars e gjeti Kosovën me raste pozitive me koronavirus dhe filluan të ndërmirren masa për kufizim të lëvizjes, pezullim të mësimit në shkolla, mbyllje të çerdheve dhe ndërprerje të shumë aktiviteteve të tjera, që kryesisht prekën bizneset.

Menjëherë pas kësaj, më 25 mars me një mocion mosbesimi të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, për të thelluar kështu një krizë politike, përveç asaj që tashmë ekzistonte në sektorin shëndetësor.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se pandemia dhe kriza politike janë dy faktorë që kanë ndikuar në pasivizimin e Kuvendit të Kosovës në muajt e fundit.

Ajo thotë se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë dhe kriza politike ka kontribuar në pasivizimin e punës së Kuvendit duke qenë se nga praktika parlamentare në Kosovë në raste të tilla, nuk ka ndërveprim të rregullt mes Kuvendit dhe Qeverisë.

“Përkundër krizës politike, Kuvendi do të duhej të kishte një rol shumë më aktiv për të ndihmuar institucionet tjera relevante në menaxhimin e situatës së krijuar me pandeminë. Mirëpo në mungesë të vullnetit politik të grupeve parlamentare përkundër disa iniciativave, kjo nuk ka ndodhur deri më tash. Ndërkaq janë edhe 7 marrëveshje ndërkombëtare financiare që presin miratim nga Kuvendi, e për të cilat duhen votat e 2/3 të të gjithë deputeteve, ku një pjesë e këtyre marrëveshjeve janë kredi që janë negociuar nga Qeveria për menaxhimin e situatës me pandeminë dhe në lidhje me rimëkembjen e ekonomisë nga pasojat që ka shkaktu pandemia. Këto fonde rrezikojnë të humbasin nëse Kuvendi nuk i miraton deri në afatin që parashihet me këto marrëveshje dhe për këtë duhet vullnet dhe konsensus i të gjitha grupeve parlamentare”, thotë Haxhiu.

Sipas saj, edhe pse ishte konstituuar Kuvendi në fund të vitit të kaluar, ajo çka është arritur të punohet ka qenë kryesisht funksionalizmi i komisioneve, njoftimi me punët që i presin deputetët dhe miratimi i ligjit për buxhetin i cili sipas saj ka qenë çështja me urgjente për institucionet e reja.

 

LEAVE A RESPONSE