Abazi: Nuk do të hyjë asnjë maune nga Serbia nëse në dokumente nuk u shkruan “Republika e Kosovës” (VIDEO)
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë në detyrë, për aplikimin e masave shtesë të reciprocitetit ndaj Serbisë, ka bërë të ditur se asnjë maune nga Sernia nuk do të hyjë në Kosovë nëse nuk e ka të shkruar “Republika e Kosovës”.
Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “deri tani maunet nga Serbia kanë mundur të hyjnë në Kosovë nëse nuk kanë pasur dokumente fyese për shtetësinë e Kosovës dhe nëse në to është shkruar Kosova”.
Postimi i plotë i Abazit:
“As reciprociteti nuk u bie tamam”.
“Mbrëmë morëm vendimin që të avancojmë reciprocitetin me Serbinë. Deri tani maunet nga Serbia kanë mundur të hyjnë në Kosovë nëse: 1. nuk kanë pasur dokumente fyese për shtetësinë e Kosovës, dhe 2. Nëse në to është shkruar Kosova”.
“Me vendimin e mbrëmshëm, asnjë maune nuk mund të hyjë në vendin tonë nëse në dokumentet e tyre nuk shkruan: Republika e Kosovës”, ka shkruar Abazi, përcjell Telegrafi.
Nryshe, Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur një mbledhje online në orët e vona të së shtunës, ku ka marrë vendim për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, plotësim-ndryshimi i vendimit të mëhershëm për marrëdhëniet tregtare me Serbinë, nënkupton ndalimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar menjëherë Qeveria e Serbisë, përmes ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se kjo masë është e papranueshëm për Serbinë.
Ai tha se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun derisa këto masa nuk shfuqizohen. /Telegrafi/