LAJME

ASH: Ministria propozon shkurtim të pagave në arsim, shkakton kolaps, nuk ofron zgjidhje

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se mësimi online ashtu siç është zhvilluar deri më tani është bërë vetëm fal sakrificës dhe entuziazmit të mësimdhënësve dhe jo si pasojë e “përkrahjes” institucionale nga ana e Ministrisë së Arsimit.

“Ministria në web faqen e saj, nuk ka asnjë informatë për Covid 19 dhe komunitetin e arsimit, qoftë për arsimtarët, ashtu edhe për nxënësit dhe studentët . Atje nuk gjeni asnjë informatë për metodat e mësimdhënies që duhet të implementohet. Ajo thjesht i ka lënë mësuesit që të gjinden ashtu siç dinë dhe munden. Nuk gjeni Skedare me mjete (tools) qe ju jepen në disponim arsimtarëve për të punuar. Nuk ka asnjë udhëzues e mos të flasim për burime audio vizuale, qe tani mundohen të krijojnë diçka edhe atë vetëm për klasat e ulëta, që është shumë joprofesionale”, thuhet në deklaratën e ASH-së.

Nga atje thonë se Ministria duhet të krijojë dosje arsimore. Duhet të krijojë udhëzues dhe mjete të prodhuara nga vet ministria, me qëllim që të krijohet një sistem të mirëfilltë, e jo ta lë atë të pakoordinuar siç është situata tani. Shkollat punojnë me platforma të ndryshme, pastaj kemi rast ku një klasë e një shkolle punon me një platformë, ndërsa klasa tjetër e po të njëjtës shkollë me platformë tjetër.

“Situata është edhe më e komplikuar tek nxënësit. Mos të harrojmë se kemi një numër të madh të familjeve të cilat nuk kanë kushte dhe pajisje të nevojshme teknike për mbarëvajtjen e mësimit në distancë. E kujtojmë ministrin e arsimit se me 27 mars 2020 me kërkesë të ministrisë i ka pranuar listat e nxënësve të cilët për shkak të gjendjes sociale-ekonomike janë deklaruar se nuk janë në gjendje të ndjekin mësimin online, me qëllim që për ta, ministria të sigurojë mjete mësimore elektronike për komunikim”, thuhet në deklaratë.

Nga atje shtojnë se me gjithë këtë situatë edhe më tepër e rëndon vendimi i qeverisë për shkurtesë të përkohshme të pagave të punëtorëve të arsimit. Me këtë vendim bëhet suspendimi i shtesave të rrogës në sektorin e arsimit.

LEAVE A RESPONSE