LAJME

Dëshmi të reja rreth lobimit me para të buxhetit për copëtim të territorit (VIDEO)

BIRN- ka zbuluar dëshmi të reja të lobimit të institucioneve të Kosovës për shkëmbim territoresh me Serbinë: një gazetar i gazetës Le Monde ka deklaruar që Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, personalisht ka avokuar për shkëmbim territoresh përderisa një akademik amerikan ka zbuluar se si Hashim Thaçi i ka kërkuar atij që të përgatisë një punim në mbrojtje të këtij plani. Më 28 maj, BIRN-i ka zbuluar se si gjatë qeverisë së PAN-it ishin paguar 168,000 euro te kompania me seli në Paris, Majorelle PR & Events, e cila kishte promovuar “pozicionin e Kosovës” për “korrigjim territoresh” si mjet për arritjen e marrëveshjes paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

Dhurata Hoxha, e cila në atë kohë shërbente si ministre në Ministrinë për Integrime Evropiane dhe e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë, e ka përshkruar artikullin si “lajm i rrejshëm” dhe ka kërcënuar se do të bëjë padi për shpifje. Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e kishte shpërndarë në Twitter artikullin e Prishtina Insight, që “të kërkonte falje dhe të distancohej nga deklarata e saj publike”.

Megjithatë, në ndërkohë, BIRN ka kontaktuar një gazetar dhe një akademik të cilët kanë konfirmuar se ata ishin lobuar për të shkruar pozitivisht për ‘korrigjim kufijsh’ dhe shkëmbim potencial të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Korrespodenti për Evropë Qendrore i gazetës Le Monde, Jean-Baptiste Chastand, e ka mbuluar Ballkanin që nga viti 2015. Ai ishte kontaktuar nga kompania Majorelle PR & Events edhe gjatë vitit 2018 edhe gjatë vitit 2019.

Në shtator të vitit 2018, një përfaqësues i kompanisë Majorelle e kishte telefonuar për të aranzhuar një takim mes gazetarit Chastand dhe Ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, për të diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Të premten, Chastand ka deklaruar për BIRN që “më 13 shtator 2018, Qëndrim Gashi ka ardhur në Le Monde bashkë me një grua nga Majorelle për të biseduar rreth shkëmbimit të territoreve”.

“Ai ka thënë që [shkëmbimi i territoreve] është një ide e mirë për të sjellë paqen, por ai nuk ka qenë shumë specifik, dhe nuk ka qenë e qartë se për cilin territor ishte fjala”.

Sipas Chastandit, vetëm Gashi ka foluar gjatë të gjithë takimit përderisa përfaqësuesja e Majorelle ka heshtur. “Ajo që ka qenë e çuditshme është që Qëndrim Gashi më njihte,” ka thënë gazetari Chastand. “Ai e kishte numrin tim të telefonit dhe ne ishim takuar edhe më herët. Ai nuk kishte nevojë që Majorelle t’ia aranzhonte takimin me mua.

”Qëndrim Gashi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Francë në vitin 2016 nga koalicioni PDK-LDK, në kohën kur presidenti aktual i Kosovës Hashim Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme.Më 27 maj, Gashi kishte deklaruar për BIRN që ai kishte qenë në kontakt me Majorelle PR & Events me qëllim që “të lehtësonin kontaktet me gazetarët.”

Megjithatë, Gashi e ka mohuar “kategorikisht” të ketë qenë ndonjëherë i përfshirë në lobime që lidhen me temën e ndryshimit të kufijve. “Përgjigja është e thjeshtë, kategorikisht: jo,” kishte deklaruar ai në përgjigjen e tij.BIRN e ka sfiduar Gashin me informacionet e reja, duke i kërkuar që të konfirmojë se a ishte takuar me gazetarë të gazetës Le Monde ku e ka shtyrë çështjen që shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë të shihej në mënyrë pozitive.

Ambasadori nuk i ka mohuar këto pretendime, e përgjigja e tij e datës 30 maj ka qenë që “nuk ka koment shtesë.”Pas takimit të tij me Gashin, Chastand kishte shkruar një artikull duke raportuar mbi idenë e shkëmbimit të territoreve, ku e kishte cekur edhe rrezikun për dhunë në rast se kjo ide realizohet. Chastand tha që ai nuk kishte pasur nevojë për ndonjë citat nga Ambasadori.

“Artikulli im rreth kësaj ishte gati për t’u publikuar dhe unë kisha qenë në Kosovë para dy javësh,” ka deklaruar Chastand, duke shtuar që gjatë kohës sa ishte në Kosovë, ai e kishte takuar Presidentin Thaçi, i cili i kishte thënë të njëjtën gjë si Ambasadori Gashi.

Sidoqoftë, përshkrimi që i bën Chastand takimit ngre pyetje serioze rreth sjelljes së Gashit. Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë për BIRN që mbrojtja e integritetit territorial të shtetit është obligim i secilit ambasador, edhe në rastet kur ata marrin urdhër për ta bërë të kundërtën e kësaj.Mushkolaj ka thënë që “neni 16 i Kushtetutës së Kosovës nënkupton që edhe kur Kryeministri apo Presidenti u kërkojnë të bëjnë një gjë si lobimi për shkëmbim territoresh, ambasadorët duhet t’i shërbejnë shtetit ngase Kushtetuta është mbi çdo autoritet tjetër dhe është detyrë e secilit që ta mbrojë atë”.

Përveç këtyre obligimeve kushtetuese, neni 10 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovë thotë që të gjitha misionet diplomatike e kanë funksionin e “mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe interesave të tjera të Republikës së Kosovës.”BIRN ka folur edhe me Behgjet Pacollin, që kishte shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 2018, dhe e ka pyetur nëse Gashi e kishte shkelur kodin diplomatik duke folur me gazetarë të huaj në favor të shkëmbimit të kufijve.Në përgjigjen e tij,

Pacolli ka thënë që ai ua kishte bërë të qartë të gjithë diplomatëve dhe ambasadorëve të Kosovës nëpër botë që ‘korrigjimi i kufjve’ që po e shtynte Thaçi nuk ishte qëndrimi zyrtar i Kosovës. “Qëndrimi zyrtar i Qeverisë rreth kësaj çështjeje ka qenë i qartë, integritetit territorial i Kosovës është i panegociueshëm në dialog me Serbinë,” kishte deklaruar Pacolli për BIRN-in më 29 maj.Megjithatë, përderisa ky mund të kishte qenë qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës, artikujt që diskutonin rreth shkëmbimit të territoreve, vazhdonin të paraqiteshin në mediat franceze.

Në shtator të vitit 2018, gazeta Le Figaro kishte publikuar një artikull ku përshkruante gatishmërinë e Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të shkëmbyer territore.Gazetarja që kishte shkruar këtë artikull, Isabelle Lasserre, ka thënë që ajo kishte qenë në kontakt me përfaqësues të Majorelle, të cilët i kishin ndihmuar që të aranzhonte një intervistë me Hashim Thaçin.

Megjithatë, ajo ka insistuar që kjo kompani nuk e kishte ndikuar artikullin e saj.Në ‘raportin e aktiviteteve’ që Majorelle ia kishte dërguar Qeverisë së Kosovës më 21 tetor 2018, ishin cituar artikujt e publikuar në mediat franceze, duke e përfshirë edhe artikullin në Le Figaro e edhe atë në Le Journal du Dimanche (të cilët po ashtu kishin publikuar një artikull rreth marrëveshjes së paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2018).

LEAVE A RESPONSE