LAJME

Ekskluzive: Gjykata Kushtetuese merr vendim pro dekretit të presidentit Thaçi (VIDEO)

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim pro presidentit Thaçi dhe në këtë mënyrë i jepet dritë e gjelbër formimit të qeverisë së re Hoti.

Kështu mëson sot gazeta “Bota sot” nga burime mirë të informuara. Të njëjtat burime i kanë thënë gazetës “Bota sot” se 7 vota kanë qenë pro dhe 1 kundër, teksa një anëtar i Gjykatës Kushtetuese gjendet në pushim vjetor.

Ndonëse është paralajmëruar që Gjykata Kushtetuese të vendos më datën 29 maj, “Bota sot” merr vesh se vendimi do të merret më herët, pa përjashtuar ditën e sotme (e martë).

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese për të marrë konfirmim apo demantim të këtyre informatave, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe pjesëtar të Shoqërisë Civile kanë bërë përgatitje për protesta në sheshet e Prishtinës, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos që të mbahen zgjedhje të reja.

E përditshmja ‘Koha ditore’ javën e kaluar hapi gazetën me titullin qendror “Shtatë gjyqtarë të Kushtetueses në anën e Thaçit”, ku ndër të tjera shkruan se nga 9 gjykatësit, 7 prej tyre janë pro dekretit të Thaçit, duke mbështetur argumentet e tij.

Po ashtu edhe një tweet “7 vota pro” i gazetarit Adriatik Kelmendi ka nxitur debate se ai konsiston në votimin në Kushtetuese. Gazetari Kelmendi nuk ka dhënë detaje tjera, se çka ka dashur të thotë me këtë porosi.

Mirëpo, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shpërndarë tëeet-in e Kelmendit, duke thënë se shkrimi i tij nënkupton se tashmë është marrë vendimi nga Gjykata Kushtetuese me 7 vota pro dhe 2 kundër formimit të qeverisë së re.

Më 30 prill, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ky veprim u ndërmor pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.

Pas dekretit të Thaçit për Hotin, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Kushtetueses me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Gjykata Kushtetuese vendosi deri më 29 maj masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë që nga 25 marsi kur u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, i iniciuar nga LDK, pas përplasjeve që ndodhën vetëm pak javë të bashkëqeverisjes së tyre. (INA)

LEAVE A RESPONSE