Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe zyrtarisht i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, shkruan Gazeta Metro.
Presidenti i Kosovës, kundër të cilit tashmë është paraqitur një aktakuzë pë shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë kësaj gjykate, të hënën në mbrëmje përmes një video mesazhi në rrjetin social Facebook, ka thënë se shpreson se deputetët do ta mbështesin këtë kërkesë. Sipas tij, “mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”.
Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon ne gusht të këtij viti.
Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.
Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Keshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”./gazetametro.net