LAJME

Hoti për financimin e “Autostradës së Paqes”: Po zbatohet marrëveshja e Uashingtonit

Udhëheqësi i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe udhëheqësja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, kanë nënshkruar të martën letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Ky zotim ka qenë një prej pikave të marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, ka thënë Boelher.

Reed, në anën tjetër, ka thënë se ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“E përgëzoj punën e presidentit (amerikan, Donald) Trump dhe gjithë administratën e tij për këtë marrëveshje historike”, ka thënë ajo.

Delegacionet e këtyre dy trupave është thënë se do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më vonë gjatë këtij muaji, për të çuar përpara punën për Autostradën e Paqes dhe projekte tjera.

Përveç kësaj, është konfirmuar se Korporata Ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar do të hapë edhe zyrën e saj në Beograd për të lehtësuar zbatimin e projekteve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se ky njoftim përbën lajm të mirë, meqë përmes tij do të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

LEAVE A RESPONSE