Aktakuza për mashtrim, pastrim parash dhe shmangje në tatim ndaj deputetit Milaim Zeka, ka mbetur në fuqi pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Me këtë vendim gjykata e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që do të thotë se të akuzuarit në këtë rast do të vazhdojnë gjykimin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.