LAJME

Kosova e Serbia do të diskutojnë për marrëveshje të tipit mini-Schengen

Marrëveshje e llojit të mini-Schengenit ballkanik do të tentohet të arrihet në takimin e 27 qershorit në Washington.

Sipas burimeve të ndryshme takimi i ndërmjetësuar nga emisari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, do të fokusohet në çështjet ekonomike mes dy vendeve.

Ndër pikat kryesore të mini-Shengenit ballkanik në të cilën pala kosovare kishte refuzuar pjesëmarrjen, është lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave. Aspekt tjetër është edhe njohja e diplomave nga të gjitha vendet e rajonit, përkatësisht vlefshmëria e tyre për tregun e punës.

Lidhur me këtë opsion dhe modalitetet që do të shtrohen në Shtëpinë e Bardhë, KOHA ka pyetur në zyrën e Grenellit. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka konfirmuar se temë qendrore do të jetë zhvillimi ekonomik.

Në kohën kur dialogu i Brukselit ndodhej në bllokadë, me ndërmjetësimin e Grenellit u nënshkruan disa marrëveshje të vullnetit të mirë mes Kosovës dhe Serbisë, për hapjen e linjave hekurudhore dhe ajrore. Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se masat ekonomike mund të ndihmojnë në trasimin e rrugës drejt një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, por është skeptik se kjo mund të arrihet.

Kosova ka histori refuzuese ndaj nismës rajonale për një mini-Schengen me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Thaçi kishte refuzuar ta përfaqësonte Kosovën me arsyen se iniciativat e tilla janë të pakuptimta përderisa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Mini-Shengeni është kundërshtuar edhe nga partia që aktualisht udhëheq Qeverinë. Madje kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, nismën e kishte quajtur përpjekje për krijimin e një “mini-Jugosllavie” të re.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte nikoqir i takimit të tretë në Durrës, pati shpërthyer në kritika ndaj udhëheqësve të Kosovës, duke ua numëruar atyre takimet e së kaluarës, ku prezenca e Serbisë nuk ka paraqitur kurrfarë pengese.

Nisma për mini-Shengen është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Madje ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, në një intervistë për “Kohën Ditore” dhjetorin e vitit të kaluar, pati thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ulet në tavolinë me atë të Serbisë dhe fuqimisht të argumentojë pozicionin e saj dhe të bëjë përpjekje që të arrihet marrëveshja, e cila do t’u sillte përfitime të dyja palëve.

LEAVE A RESPONSE