Për shkak të koronavirusit, që ka pushtuar botën, parashikohet një krizë e madhe ekonomike, dhe natyrisht këtu përfshihen edhe klubet e futbollit.
Pasi disa klube kanë shpreh nevojë për ndihmë financiare, FFK ka lëshuar komunikatë përmes së cilës thotë se do të bëhet çmos që t’iu ndihmojë klubeve.
Por FFK njofton se UEFA tash për tash nuk ka ndarë fonde për federatat anëtare për t’i përballuar krizës ekonomike nga koronavirusi, raporton Gazeta Express.
Njoftimi i FFK-se:
Federata e Futbollit e Kosovës është duke e ndjekur më vëmendje situatën e përgjithshme rreth pandemisë së Coronavirusit Covid-19 në vendin tonë, e veçmas situatën e klubeve dhe të gjithë të përfshirëve në futboll në këto rrethana.
Drejtuesit e FFK-së janë në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n dhe çdo veprim sa i përket çështjes së rifillimit të kampionatit do të bëhet në koordinim të plotë me organet e futbollit evropian.
KE i FFK-së është i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ballafaqohen klubet në këtë periudhë, duke pasur parasysh se pandemia Covid-19 ka pasur efekte edhe në ekonominë e vendit dhe rrjedhimisht edhe tek ata që i mbështesin klubet në aspektin financiar.
Natyrisht se FFK do të bëjë çmos për të bërë më të mirën e mundshme që të ndihmojë në këtë aspekt dhe shpresojmë se përkrahja financiare nuk do të mungojë as nga institucionet e futbollit evropian e botëror.
Megjithatë, tash për tash UEFA ende nuk ka ndarë ndonjë fond për t’i ndihmuar federatat e saj anëtare.
“Prandaj, në situatën në të cilën ndodhemi lusim të gjithë futbollistët, punëtorët sportivë dhe investitorët e klubeve që të kenë konsideratë për njëri-tjetrin dhe të jenë solidarë, pasi po jetojmë në rrethana emergjente ku po thuajse është ndërprerë gjithçka në tërë botën dhe primare është shëndeti dhe luftimi i përhapjes së pandemisë”.
Gjithsesi, “FFK do të mundohet në të gjitha format që të jetë afër klubeve, futbollistëve dhe punëtorëve sportivë për çdo gjë që është në kompetencën dhe mundësitë e saja. Shpresojmë që kampionati nuk do të shtyhet më shumë se sa data që është dhënë nga UEFA, megjithëse presidenti Çeferin qysh në fillim ka deklaruar se janë të përgatitur për planin A, B dhe C, andaj edhe FFK do t’i ndjekë rekomandimet dhe hapat e UEFA-s”.
Me këtë rast “FFK falënderon Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport për ndarjen e 5 milionë eurove si pako emergjente ku përfiton edhe sporti, derisa bizneset që investojnë në klubet e futbollit i njoftojmë se mund të aplikojnë për mbështetje në fondin e ndarë nga Qeveria për bizneset private”.