LAJME

U përdhunua nga kushëriri, ofrohet ndihmë psikologjike për 11-vjeçaren, hetohen nëpunësit policorë

Kronika e TV21 për rastin e përdhunimit të të miturës 11-vjeçare, ka ngjallur reagime në shoqëri dhe ka vënë në lëvizje institucionet kompetente.

Disa fajin ia hedhin prindërve, e shumica e fajësojnë policinë, sepse thonë se i dyshuari nuk duhet të qëndrojë ende i lirë.

“Po normale se do të ndodhin, se fëmijët pa kontroll, të gjithë në celularë. Prej moshës 3-vjeçare në “I phone”, kurse nëna 24 orë në “Facebook” dhe “Tik – Tok”. Kujdes, kujdes o njerëz me fëmijët tuaj dhe mediat sociale, sepse është botë pa kontroll”.

“Në këtë rast është fajtor prindërit. Fëmija 11 – vjeçar duhet të ketë mbikëqyrje, sidomos tash nëpër rrjete sociale se me cilin është duke kontaktuar”.

Ka nga ata që cilët kanë analizuar të gjitha pjesët e kronikës.

“Përdhunohet vajza e mitur, vajza e vogël, vajza që do të rritet e trauma nga përdhunimi dhe trishtimi. E përdhunon kushëriri, e zbulon nëna, policia manipulon me rastin dhe i merr deklaratën pa prezencën e nënës dhe e shpallin përdhunuesin të pafajshëm. Kërcënohet vajza se babin do ia dërgojnë në burg. Kërcënohet TV 21 nga përdhunuesi që shëtitet në liri. A bëhet shtet ky? A kështu funksionon policia e Kumanovës?”

“Këtu ka tema të panumërta, në të cilat ne si shoqëri duhet njëherë e përgjithmonë të ndërmarrin diçka, por më e keqja është se si drejtësia ende nuk funksionon, veçanërisht në këso raste”.

Reaguan nga Komiteti i Helsinkit. I kanë ofruar ndihmë psikologjike të miturës dhe në bashkëpunim me MPB-në do të mbikëqyrin gjendjen shëndetësore të saj.

Ndërkaq, ministrja shtesë e Punëve të Brendshme ka dënuar aktin dhe ka njoftuar se ka filluar hetim për punonjësit policor.

Sllavjanka Petrovska,  Ministre Shtesë në MPB:

“Monstruoze për kryerësit dhe për ata që e kanë përkrahur dhe e kanë fshehur. Këtë e kam dorëzuar te Reparti për kontroll të brendshme dhe standarde profesionale në drejtim që t’i shqyrtojnë deklaratat e vajzës dhe familjes së saj. Pres reagim urgjent dhe zbardhje të këtij rasti, përgjegjësi dhe dënim duhet të ketë. Nuk mund të lejojnë që mendjet e sëmura që shkatërrojnë jetën e një të reje, të mbeten të pandëshkuar”.

Institucionet tjera heshtin… , kurse kërcënimet ndaj të miturës kanë vazhduar edhe pas kronikës së TV 21.

LEAVE A RESPONSE