Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet ta respektojë kushtetutën. I ka bërë thirrje të japë dorëheqje nga posti i presidentit e të sfidojë veten në fushatë.
Ai duke iu përgjigjur deklaratave të sotme të presidentit Thaçi, tha se “ai duhet ta lirojë ulësen sepse nuk është i kënaqur vet me punën e tij”.
“Le të vijë në fushatë e të sheh votat që merr. Ai dëshiron të jetë më shumë se president e për këtë i duhet dikush që është më pak se kryeministër. Tek unë nuk mund ta gjejë këtë sepse është rezultati i 6 tetorit 2019. Në këtë kuptim, kemi president të frustruar i cili po bëhet gati për fushatën zgjedhore. Më së miri, më së drejti e sinqerti, është të dorëhiqet e të vijë në fushatë. Institucionet nuk janë të bllokuara por kemi një karrige të bllokuar”, u shpreh Kurti.
Kurti, tutje tha se beson se Gjykata Kushtetuese nuk bjen në kundërshtim me vetveten dhe as nuk lejon që dekretet e Thaçit të jenë autor të shkrimeve të Kushtetueses.

