Ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gruas dhe foshnjës së saj të pa lindur, sot në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte e shtrirë në gjendje të rëndë që nga 15 prilli, e infektuar me COVID-19.

Kusari-Lila përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo vdekje e dyfishtë shton pikëllimin dhe ngritë alarmin për pasojat e infeksionit.

“Mëngjesi na erdhi me lajmin e trishtë për humbjen e jetës së gruas shtatzënë nga Gjakova si pasojë e infeksionit me #Covid19. Ngushëllime familjes dhe gjithë të njohurve të saj. Vdekja e dyfishtë e Nënës dhe bebes së saj të palindur, shton pikëllimin dhe ngritë alarmin për pasojat e infeksionit”, shkruan Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se ky alarm duhet të na shtyjë të respektojmë masat parandaluese dhe të merret me seriozitet secili sugjerim i institucioneve shëndetësore.

“Ky alarm duhet të na shtyjë për respektim strikë të masave parandaluese dhe marrje me seriozitet të gjitha sugjerimeve për mbrojtje dhe izolim në këtë kohë pandemie. Kohën e humbur pa dalë në natyrë apo pa u takuar me të tjerët e kompenzojmë menjëherë kur të përfundon kjo situatë, por jetën e humbur assesi. #RriNëShtëpi”, shkruan ajo.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka konfirmuar se në orët e para të datës 21 prill, në Klinikën Infektive të QKUK-së, ka ndërruar jetë një 40-vjeçare e infektuar me COVID-19.

Gruaja nga Gjakova ishte shtatzënë ndërsa po trajtohej aty në gjendje të rëndë që nga 15 prilli. /Telegrafi/

By admin

Leave a Reply