Vjosa Osmani nuk tregon se a e udhëheqë seancën e votimit të Qeverisë Hoti. Nënkryetarja Arberie Nagavci vetë thotë se nuk e drejton seancën që do t’i japë fund Qeverisë Kurti, e foli edhe në emër të kryeparlamentares. Deputeti i LDK’së që është nënkryetar i Kuvendit, Kujtim Shala, thotë për Express se Osmani vendos se kush do të udhëheqë seancën e sotme.
Pak minuta më parë ka hyrë në Kuvendin e Kosovës kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Ajo është përfolur shumë këtyre ditëve se a do të udhëheqë apo jo seancën në të cilin pritet të votohet Avdullah Hoti si kryeministër. Ajo nuk e ka konfirmuar akoma nëse do ta udhëheqë ose jo këtë seancë.
Nënkryetari Kujtim Shala, ka thënë për Gazetën Express se nuk e di se a do të udhëheqë ai dhe mbetet që për këtë të vendosë Osmani.
“Varet se a do ta udhëheq kryetarja. Ajo ka të drejtë të autorizojë një nga nënkryetarët”, ka thënë Shala për Express.
Edhe nënkryetarja e parë e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nuk do të udhëheqë seancën e sotme.
Nagavci ka thënë se seanca e sotme është seancë e turpit dhe se nuk pranon që të bëhet pjesë e një skenari të tillë.
“Kjo seancë është seancë e turpit, dhe unë jam e gëzuar që zonja Osmani nuk do të bëhet pjesë e këtij turpi. As unë s’mund të jem pjesë e këtij skenari të turpshëm”, ka thënë Nagavci.