Ditëve të fundit në hyrjen e Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup është larguar tabela informuese, e shkruar në dy gjuhë. E këtë e denocoi sot edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ky i fundit thekson se tabela edhe në Gjuhën Shqipe është vendosur gjatë kohës që ai ishte Ministër i Shëndetësisë, ndërsa akuzon pushtetin se me largimin e tabelës, po tregon se sa prapa në kohë, sipas tij ka ecur Maqedonia.
“Ecja e kohës para supozon të sjellë edhe zhvillimin e çdo gjëje në përgjithësi, po ky nuk është rasti në Maqedoni…
Në kohën kur ministria e Shëndetësisë drejtohej nga ASH-ja, në hyrje të Qendrës Klinike të Shkupit vendosëm një tabelë ku për herë të parë në historinë e vendit, shkruhej edhe në gjuhën shqipe emri i godinës (të mendoni që këtë gjë e bëmë në një kohë që ende nuk ishte miratuar ligji për përdorimin e gjuhës shqipe).
Kurse sot si e vëreni tabela është larguar fare nga vendi, si për të treguar se cilët janë rregullat e rija, se sa prapa kemi shkuar në kohë”, ka shkruar Arben Taravari.