Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk është përmbajtur pas deklaratave të dhëna nga ana e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, se kryeministri Avdullah Hoti do të jetë i kufizuar nga treshja e liderëve të koalicionit qeveritar në politikën e jashtme.
Mustafa e ka qortuar një qëndrim të tillë nga ana e Selimit, duke thënë që kryeministri Hoti do të jetë i lirë si në politikat e brendshme ashtu dhe ato të jashtmet.
Ai ka shtuar se është mirë që të ketë konsultime mes liderëve të partive, por po ashtu edhe besim te kryeministri i vendit, shkruan Periskopi.
Mustafa ka deklaruar se kryeministri Hoti nuk do të marrë udhëzime nga askush përveç nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Statusi i plotë:
Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po ipen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës.
Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar.
Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe përmbajtësore me partnerët e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojme që ai ta kryej detyrën e tij.
Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme.
Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës. IM