LAJME

Ministria e Ekonomisë sqaron se si do të lëvizin biznesët nga një komunë në tjetrën

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINI), ka lëshuar një sqarim për mundësinë e qarkullimit të operatorëve ekonomikë nga një komunë në tjetrën.

Ministrja në detyrë Rozeta Hajdari ka bërë sqarimin për shkresën nga Oda e Afarizmit të Kosovës, të publikuar në media me datën 14.04.2020, të titulluar “OAK: Ndalimi i qarkullimit nga një komunë në tjetrën rrezikon funksionimin e bizneseve esenciale”.

Hajdari thotë se ka adresuar bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia shqetësimet e operatorëve, dhe vendimet e fundit, të datës 14 prill, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë, sjellin qartësim se “Lejohet qarkullimi i të punësuarve nga një komunë në tjetrën, përveç për zonat e shpallura nga Ministria e Shëndetësisë si vatra të përhapjes së infeksionit”.

“Kjo rregullohet me formularin e konfirmimit nga ATK -sistemi EDI”, thuhet në kumtesë.

Në komunikatën e MEPTINIS-it, thuhet se “të gjithë operatorët ekonomikë, respektivisht ndërmarrjet që janë të lejuara për të vepruar sipas NACE kodeve, vendosin se cilët nga stafi i ndërmarrjes të kenë leje mundësinë e lëvizjes për ushtrim të veprimtarisë. Kjo mundësohet me formularin e konfirmimit nga ATK- sistemi EDI”.

Në komunikatë thuhet se në vendimet e Qeverisë Kurti, nuk ekziston termi ‘funksionimi i bizneseve esenciale’, por ekziston termi “operatorët ekonomikë të lejuar të veprojnë sipas kodeve NACE’’.

“Çështja e lëvizjes së lirë të stafit të sigurisë dhe depoistëve të operatorëve ekonomikë është ngritur dje te Ministria e Shëndetësisë dhe menjëherë është rregulluar”, thuhet në kumtesë.

LEAVE A RESPONSE