Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, ku me donacion të TIKA-s shpërndahen 370 pako ushqimore, 300 prej tyre tek familjet sociale dhe 70 tek minoritetet turke.
“Sot na bashkëngjitet edhe Republika e Turqisë. Ky shtet dhe agjencia e zhvillimit TIKA na janë gjendur pranë edhe në ditët më të vështira si këto”.
“Këto pako përmbajnë gjëra bazike si vaj, miell, etj., të cilat do të shpërndahen nga vullnetarët dhe këshilltarët e asamblesë komunale”.
“Komuna e Prishtinës është bërë shembull për unitet politik ne këtë situatë përballë COVID-19″, u shpreh Ahmeti.
Ndërkaq, ambasadori Sakar falënderoi TIKA-n dhe Komunën e Prishtinës, duke thënë se bashkëpunimi në mes tyre ka mundësuar që qytetarët e Prishtinës të përfitojnë.
“Ne jemi një shtet që kemi solidaritet me Kosovën edhe para luftës, por në këtë proces të vështirë që jemi, në këtë kohë pandemie që jemi, na ka treguar se sa e rëndësishme është që të jemi solidarë me të tjerët”.
“Përveç kampanjës që të ndihmojmë qytetarët në Turqi, ne po i ndihmojmë edhe të tjerët, pra shtetet e Ballkanit”, u shpreh ai.
Ahmeti po ashtu u shpreh se masat e reja të lëvizjes kanë ndikuar që në kryeqytet të ketë lëvizje më pak dhe situata është e menaxhueshme, dhe siguroi se asnjë familje në nevojë nuk do të mbetet keq për asistencë sociale, shëndetësore dhe të ngjashme.
Ai bëri të ditur se sot në Prishtinë do të merren 10-15 mostra për testim nga IKSHPK.