LAJME

Prokuroria nis hetimet për incidentin gjatë mbledhjes së Bordit të Telekomit

Prokuroria Themelore në Prishtina ka autorizuar Policinë që t’i nis hetimet lidhur me një incident që ka ndodhur më 24 prill 2020, në Telekomin e Kosovës gjatë mbajtjes së mbledhjes së Bordit të Telekomit të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë – kanë përcjellë një email (shënim zyrtar), nga Ministrja në detyrë e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari lidhur me një incident që ka ndodhur më 24 prill 2020, në Telekomin e Kosovës gjatë mbajtjes së mbledhjes së Bordit të Telekomit të Kosovës.

Klan Kosova e ka kontaktuar zyrtaren për Informim të Prokurorisë, Laureta Ulaj, për të mësuar më shumë detaje rreth këtij rasti.

Ajo ka treguar se ministrja Hajdari e ka përpiluar një raport lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Bordit të Telekomit të mbajtur me datë 24 prill 2020.

“Ministrja në detyrë e ka përpiluar një raport njoftues lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e bordit, të cilin raport ia ka përcjellë Policisë përmes e-mailit të saj. Të njëjtin e-mail Polica e ka dërguar në Prokurori dhe tashmë kanë filluar hetimet”.

Klan Kosova e ka kontaktuar edhe ish-kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefin, i cili thotë se ka publikuar një e-mail të ministres në fjalë, ku sipas tij, Hajdari iu ka bërë presion dhe shantazh zyrtarëve të lartë të Telekomit.

“Unë e kam publikuar e-mailin e ministres Rozeta Hajdari me datë 25 prill 2020, ku ajo iu adresohet me presion dhe shantazh zyrtarëve të lartë të Telekomit dhe në pozitën e ministres e përdorë autoritetin e saj në mënyrë të jashtëligjshme që të hapen zyrat e arkivit të Telekomit të Kosovës në mënyrë që t’i protokolojnë vendimet e jashtëligjshme që i kanë marrë në zyrat e saj me datë 24 prill 2020, ku merr vendim t’i shkarkojë zyrtarët e lartë të Telekomit”.

LEAVE A RESPONSE