LAJME

Publikoi një vendim të ministrit Vitia, MSH paralajmëron masa ligjore ndaj deputetes Time Kadrijaj

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa ligjore ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, pasi kjo publikoi një vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për lirim të disa personave nga masa e izolimit.

Kadrijaj tha se ata ishin aktivistë të VV-së, ndërsa në vendimin e publikuar shiheshin emrat e personave që lirohen si raste psikiatrike pas vlerësimit të mjekëve.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate thotë se të gjitha vendimet e posaçme të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia janë rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë, të fushave të ndryshme, të cilët e kanë përgatitur pasqyrën shëndetësore për secilin person që ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rekomandimeve te Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Këto ekipe profesionistësh janë ekspertë të fushave dhe të pavarur në punën e tyre. Është e pandershme dhe sulm i ulët ndaj profesionistëve shëndetësor, që në këtë kohë pandemie janë në krye të detyrës dhe mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Mbi të gjitha, publikimi i këtyre të dhënave paraqet cenim të rëndë të privatësisë, si dhe është i ndëshkueshëm edhe më ligjet në fuqi. Është një veprim skandaloz dhe mbi të gjitha jo njerëzor”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë thekson se bashkë me personelin shëndetësor mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, njëkohësisht edhe në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve tanë nga stigmatizimi, siç përcaktohet edhe me ligjet në fuqi.

“Ministria e Shëndetësisë, si institucion, do të ndërmerr çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cenuar rëndë privatësinë e qytetarëve të cilët janë kontrolluar nga profesionistët shëndetësor.

Privatësia e gjendjes shëndetësore është e drejtë e garantuar me ligj për secilin qytetarë në Republikën e Kosovës. Ndaj ju bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në fund./Telegrafi/

LEAVE A RESPONSE